Lajme

Shefi i ri i ushtrisë ukrainase thotë se duhet të ndryshohen metodat e luftës

Gjeneralkolonel Oleksandr Syrskiy, në adresimin e tij të parë që kur u emërua kreu i Forcave të Armatosura të Ukrainës, tha se shteti duhet të ndryshojë dhe përmirësojë metodat e tij të luftës nëse dëshiron të mposhtë forcat pushtuese ruse.

Syrskiy, i cili më 8 shkurt nga presidenti Volodmyr Zelensky u emërua në postin e kreut të ushtrisë, duke zëvendësuar Valeriy Zaluzhniy, shkroi në Telegram se është i nevojshëm “një plan i qartë dhe i detajuar i të gjitha veprimeve të organeve të administratës ushtarake”, përderisa theksoi se Ukraina ka nevojë për armë moderne nga partnerët e saj perëndimorë.

“Vetëm ndryshimet dhe përmirësimi i vazhdueshëm i mjeteve dhe metodave të luftës do të bëjnë të mundur që të arrijmë suksese në këtë rrugë”, shkroi ai në Telegram më 9 shkurt, duke shtuar se zgjidhjet e reja teknike, përfshirë sistemet e dronëve dhe mjetet e tjera të luftës radio-elektronike, janë të nevojshme.

Më herët gjatë ditës, Zelensky nderoi ish-udhëheqësin e ushtrisë Zaluzhniy me titullin Hero i Ukrainës. Udhëheqja e suksesshme e Syrskiyt për të mbrojtur kryeqytetin ukrainas, Kiev, bëri që ai të merrte titullin e njëjtë në shtator të vitit 2023.

Ndryshimi në udhëheqjen e ushtrisë ukrainase ndodhi në një kohë kritike për Ukrainën, shtet që ka dështuar të rimarrë territor të konsiderueshëm nga Rusia që nga fundi i vitit 2022 dhe tani po përballet me mundësinë që të mos marrë një ndihmë të rëndësishme ushtarake nga Shtetet e Bashkuara, pasi që ligjvënësit republikanë kanë bllokuar paketën e ndihmës për Kievin në vlerë prej 60 miliardë dollarësh.

Me forcat ruse që po kryejnë ofensiva në mbarë vijën e frontit dhe po bëjnë përparime në Avdijivka, që për muaj të tërë Moska po tenton ta marrë nën kontroll, në shkurt Zelensky deklaroi se ishte koha për një ndryshim në ushtri.

Syrskiy, 58 vjeç, ishte një prej komandantëve kryesorë që udhëhoqi ushtrinë ukrainase në luftën kundër ofensivave të separatistëve të mbështetur nga Rusia. Separatistët nisën konfliktin në lindje të Ukrainës më 2014, pak kohë pasi Moska aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë.

Pasi Rusia në shkurt të vitit 2022 nisi pushtimin e Ukrainës, në shtatorin e po atij viti Syrskiy udhëhoqi forcat e armatosura ukrainase në kundërofensivën e suksesshme për rimarrjen e kontrollit në rajonin e Harkivit./Marre nga REL/

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo