Lajme

Shefi i UNMIK-ut për tragjedinë në Livoç të Ulët: Dhuna është e papranueshme

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe shefi i UNMIK-ut, Peter Due, dënoi ashpër vrasjet tragjike të një gruaje dhe vëllait të saj dje në Livoç të Ulët në Gjilan, si dhe plagosjen e një anëtari tjetër të familjes.

Peter Due u shpreh ngushëllimet e tij të sinqerta familjes dhe të dashurve të viktimave dhe i uron shërim të shpejtë personit të lënduar.

“Ky humbje tragjike e jetëve nxjerr në pah koston shkatërruese njerëzore të dhunës me bazë gjinore. Një dhunë e tillë është e papranueshme dhe nuk duhet të tolerohet kurrë apo të trajtohet si çështje private,” tha ai.

Shefi i UNMIK-ut u bën thirrje institucioneve përkatëse që të vazhdojnë përpjekjet e koordinuara për të parandaluar dhunën me bazë gjinore.

Dy persona kanë mbetur të vrarë dhe një tjetër është plagosur të premten në fshatin Livoç i Ulët të Gjilanit, pasi dyshohet se janë qëlluar me armë zjarri nga një burrë.

Sipas Policisë së Kosovës, i dyshuari është arrestuar. Viktimat që kanë ndërruar jetë janë bashkëshortja e tij dhe vëllai i saj, ndërsa i plagosur ka mbetur djali i axhës së bashkëshortes. Policia në dy vende të ngjarjes ka sekuestruar 4 fishekë, 21 gëzhoja dhe 5 predha. 

Me urdhër të prokurorit janë kryer bastisje në shtëpitë dhe pronat e të dyshuarit. Aty janë gjetur dhe sekuestruar 2 armë të gjata me leje të skaduar, 1 pistoletë pa leje, 1 armë pneumatike, 520 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe 1600 diabolla të pushkës pneumatike.

Të Ngjashme