Lajme

​Shëndeti mendor në burgje mbetet sfidë, QKRMT dhe institucionet bëjnë thirrje për trajtim dinjitoz

Mungesa e kapaciteteve për trajtimin e personave me çrregullime mendore që bien ndesh me ligjin vazhdon të mbetet një nga sfidat kryesore të sistemit korrektues dhe shëndetësor në Kosovë. Kjo u theksua në tryezën e diskutimit “Parandalimi i torturës përmes mbrojtjes së shëndetit mendor në institucionet korrektuese”, të organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), me rastin e 26 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare në Mbështetje të Viktimave të Torturës.

Menaxherja e programit në QKRMT, Fatmire Haliti, tha se parandalimi i torturës nuk nënkupton vetëm ndalimin e dhunës fizike, por edhe garantimin e kushteve që respektojnë integritetin fizik dhe psikologjik të personave të privuar nga liria.

Ajo theksoi se QKRMT, përmes monitorimeve shumëvjeçare, ka evidentuar raste kur persona me probleme të rënda të shëndetit mendor janë mbajtur në institucione korrektuese, pavarësisht vendimeve gjyqësore që parashihnin trajtimin e tyre në institucione të specializuara shëndetësore. Sipas saj, mungesa e kapaciteteve ka vështirësuar trajtimin adekuat të kësaj kategorie.

“Personat me çrregullime mendore dhe nevojat të veçanta përbëjnë një nga grupet më të margjinalizuara apo më sfiduese për trajtimin në këto institucione…Andaj, në situatën çfarë jemi domethënë, ne kemi avokuar në të kaluarën, por edhe tani domethënë edhe përmes kësaj tryeze synojmë që të bëjmë thirrje te institucionet përkatëse për krijimin e strukturës organizative të institucioneve korrektuese për vendosjen adekuate dhe trajtimin adekuat të personave me çrregullim mendor që bien ndesh me ligjin. Ajo që është më shqetësuesja, këto raste domethënë shpeshherë paraqesin rrezik për veten, për personat e tjerë të privuar nga liria, e po ashtu ka raste ku vet rrezikohet edhe vet jeta e stafit korrektues. Për më tepër, në disa raste këto këta persona përfundojnë në mënyrë tragjike duke kryer edhe vetëvrasje gjatë mbajtjes së tyre në vendet e privimit nga liria…Prandaj bëjmë thirrje në këtë ditë që të plotësohet infrastruktura përkatëse dhe çdo person që konstatohet që ka probleme të shëndetit mendor dhe që ka nevojë për trajtim, të vendoset në institucion ku ka staf të mjaftueshëm, staf profesional dhe do të marrin trajtimin e merituar.”, tha Haliti.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha se ndalimi i torturës dhe i çdo forme të trajtimit çnjerëzor është obligim i institucioneve dhe se mbrojtja e dinjitetit njerëzor duhet të garantohet për të gjithë personat e privuar nga liria.

Ai theksoi se Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës vazhdon monitorimin e rregullt të vendeve të privimit nga liria dhe se një ndër shqetësimet kryesore mbetet mungesa e kapaciteteve për akomodimin dhe trajtimin e personave me çrregullime mendore.

“Institucioni i Avokatit të Popullit, përmes Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës, ushtron një rol kyç në monitorimin e vendeve të personave ose ku mbahen të privuar personat nga liria. Përmes vizitave të rregullta, të paparalajmëruara, raporteve dhe rekomandimeve, Mekanizmi kontribuon në identifikimin e mangësive, parandalimin e keqtrajtimit dhe promovimin e standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare për trajtimin human dhe me dinjitet. Një nga çështjet që Avokati i Popullit e ka trajtuar vazhdimisht ndër vite, është respektimi i të drejtave të personave me çrregullim mendor që janë në vuajtje të dënimit ose në konflikt me ligjin. Kjo kategori përfaqëson një nga grupet më të cenueshme, pasi përveç privimit nga liria, ata përballen edhe me nevoja komplekse shëndetësore dhe sociale, të cilat kërkojnë trajtim të specializuar dhe mbrojtje të shtuar…Ndër shqetësimet kryesore vazhdon të jetë mungesa e kapaciteteve për akomodim të personave me çrregullim mendor. Për pasojë, këta persona me probleme serioze psikiatrike vazhdojnë të mbahen në qendrat e paraburgimit ose në institucionet korrektuese, ndërsa rekomandimet profesionale kërkojnë trajtim në institucionet e specializuara.”,

Të Ngjashme