LifeStyle

Shenjat që tregojnë se jeta juaj po ndryshon pozitivisht

Shumë prej nesh investohen me kohë, energji dhe para për t’u bërë version më i mirë i vetes. Ne përpiqemi shpesh të ndryshojmë mënyrën e të menduarit, zakonet e përditshmërisë, heqim dorë nga e kaluara vetëm për t’u transformuar pozitivisht në shumë drejtime të jetës.

Nëse ndryshimet në aspektin fizik janë të matshme, si për shembull: forca e muskujve, nivelet e kolesterolit apo rrahjet e zemrës, shenjat e ndryshimeve pozitive në jetën tuaj janë pjesë e rrugëtimit të vetë-përmirësimit. Treguesit e ndryshimit pozitiv mund të jenë frymëzues, duke ju motivuar që të ndiqni versionin më të mirë të vetes.

Këtu janë shtatë shenjat që tregojnë ndryshimin pozitiv që ka “trokitur” në jetën tuaj dhe të gjitha këto efekte përcjellin ndjenja krenarie dhe arritjeje duke forcuar njëherësh besimin dhe ndjenjën e kontrollit mbi veten dhe jetën tuaj.

1. Të menduarit

Shenja e parë që shihni tek vetja është një ndryshim në mënyrën e të menduarit. Idetë janë më pozitive, inkurajuese edhe mbështetëse. Nga një gotë gjysmë bosh, ju e shihni tashmë gotën gjysmë plot. Mendja juaj është më e qartë sesa e rrëmujshme. Ky ndryshim i mënyrës së të menduarit sjell më pak dyshime dhe shqetësime dhe më shumë shpresë dhe optimizëm.

2. Emocionet

Ndryshimi pozitiv i jetës sjell me vete një zhvendosje nga emocionet negative (lëndimi, trishtimi, frika, zhgënjimi, faji, turpi) tek një jetë plot ngjyra dhe emocione pozitive (lumturi, gëzim, eksitim, kënaqësi).

3. Ndryshimet fizike

Ndryshimi pozitiv i jetës ndihet edhe në trupin tuaj. Nëse më parë ka qenë sistemi nervor simpatik(ankthi, stresi) i aktivizuar në trup, tani ndihet një ndjenjë relaksi dhe qetësie. Këto shenja fizike përfshijnë një ritëm më të ulët të zemrës, frymëmarrje më të thellë, muskuj të relaksuar dhe mungesë të rritjes së adrenalinës.

4. Gjuha e trupit

Kur jeni në një moment të keq të jetës, trupi flet një gjuhë mbrojtjeje kundër kërcënimeve. Kjo shprehet me shikim të vrenjtur, trup i kthyer mbrapsht, bustin e përkulur dhe krahët dhe këmbët të kryqëzuara. Me ndryshimin pozitiv, këto kërcënime zvogëlohen ose zbuten, duke lejuar kështu trupin të pranojë faktorët e jashtëm.

5. Mesazhe për të tjerët

Kur nuk jeni të lumtur, mbylleni brenda vetes dhe qëndroni larg njerëzve sepse i shihni si pjesë të kërcënimit në jetën tuaj. Ju jepni sinjale të shkurtra dhe të ftohta, ndaj zgjidhni të qëndroni larg. Kur hapeni ndaj botës që vjen nga një ndryshim pozitiv i jetës, ju dërgoni sinjale të ngrohta, afrimi dhe mirëseardhjeje. Me fjalë të tjera, në vend që të largoheni nga njerëzit, ju mbështeteni tek ata.

6. Si ju përgjigjen të tjerët

Kur njerëzit e ndiejnë mbrojtjen tuaj, ata nuk ka gjasa t’ju afrohen nga frika se mos injorohen ose qortohen, kështu ata do të mbajnë distancë nga ju. Por, kur ju transmetoni mesazhe të mira që vijnë nga ndryshimet pozitive të jetës, ata duan të ndajnë momente me ju.

7. Cilësia e marrëdhënieve

Pjesa më e madhe e asaj që i bën njerëzit të pakënaqur është ndjenja e shkëputjes dhe vetmisë që ata ndjejnë. Shpesh u mungojnë miq dhe marrëdhëniet  e ngushta. Për më tepër, raportet që ata kanë nuk janë të kënaqshme sepse ka pak lidhje emocionale. Kur bëni ndryshime pozitive në jetë, ju mirëprisni njerëzit duke krijuar raportet e duhura me ta.