Lajme

Sherri për parkimin në Lezhë, ky është shoferi që u qëllua me armë zjarri në furgon

Tonin Ndreca është shoferi i furgonit të linjës Lezhë-Laç, i cili mbeti i plagosur këtë të shtunë në qytetin e Lezhës.

35-vjeçari, Tonin Ndeca, ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën, ndërsa autori Marjan Kola është në arrati. Policia po punon për kapjen e tij.

Si ndodhi plagosja në Lezhë

Referuar informacioneve paraprake të policisë ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit mes shoferit dhe autorit. Dyshohet që konflikti të ketë ndodhur për parkimin e automjeteve.

Në debat e sipër në furgon, Marjan Kola ka nxjerrë pistoletën në sy të pasagjerëve dhe ka qëlluar tre herë në drejtim të shoferit të mjetit, duke e plagosur këtë të fundit.

Pas krimit, autori është larguar nga vendngjarja, ndërsa policia ka nisur hetimet për kapjen e tij. Plagosja me armë ka ndodhur rreth orës 11:00 , në afërsi të shinave të trenit në Lezhë.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 11:00, në qytet Lezhë, në afërsi të shinave të trenit, gjatë një konflikti të çastit që dyshohet për parkimin e automjeteve, shtetasi M. K. banues në Kurbin, ka plagosur me armë zjarri shtetasin T. N. 35 vjeç, banues në Laç, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Autori i dyshuar është larguar menjëherë pas ngjarjes dhe vijon ndjekja nga ana e shërbimeve të Policisë për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Në vendngjarje, grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor.