Lajme

Sherri tek Kepi i Rodonit, kamera “kap” shoferin e Mark Frrokut që qëllon me armë

Një sherr masiv u shënua disa ditë më parë në Kepin e Rodonit, Durrës, ku përfaqësues të Kishës Françeskane janë përplasur me banorët e fshatit Shetaj. Të dyja palët pretendojnë pronësinë e tokës.

I përfshirë në këtë përplasje ishte dhe ish-deputeti Mark Frroku dhe shoferi i tij, Besnik Toma. Ky i fundit i shpallur në kërkim pasi dyshohet se ka qëlluar me armë gjatë konfliktit.

Ndërsa dje në deklaratën e tij para togave të zeza, Frroku duket se i ka dalë në mbrojtje shoferti të tij, pasi ka thënë se nuk di të ketë qëlluar njeri me armë zjarri.

“Nuk di të ketë qëlluar njeri me armë nga njerëzit që po punonin për rrethimin e tokës sidhe nga ata që ishin me mua në vendngjarje”, tha ai.

Ai po ashtu deklaroi se kishte qenë  te Kisha se e kishin kontaktuar për rrethimin e sipërfaqes së zonës. Frroku tha se kanë qenë duke punuar kur një grup fshatarësh i kanë sulmuar dhe u kanë kërkuar që të ndërpresin punimet.

Mirëpo të kundërtën tregojnë pamjet nga vendi i ngjarjes. Në foton e mëposhtme shihet qartazi Besnik Toma, i cili i bashkohet i fundit konfliktit, teksa shihet duke nxjerrë armën.

Policia në ldihje me ngjarjen ka arrestuar shtetasin Bajram Kaculni, Erjon Rekën, Orgito Rekën, Ylli Rekën, banorë të fshatit Shetaj akuzohen për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “ Vetëgjyqësia”, sepse janë konfliktuar me sende të forta me përfaqësues të kishës.

Po ashtu, të arrestuar bashkë me shtetasit e mësipërm janë dhe personat që Policia e Durrësit i cilëson përfaqësues të Kishës Françeskane, shtetasit Mark Frroku, Antonio Lazari, Pal Doda, Martin Lazeri.

Këta të fundit akuzohen për veprat penale “Kanosja”, “Moskallzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”. Në kërkim rezulton se është shpallur shtetasi Besnik Toma, shoferi i ish-deputetit dhe biznesmenit Mark Frroku.

Sherri dhe e shtëna me armë zjarri

Disa ditë më parë, shtetasit Bajram Kaculi, Erjon Reka, Orgito Reka, Ylli Reka, banorë të fshatit Shetaj, janë konfliktuar me sende të forta me shtetasit Ndue Sokoli, Mark Frroku, Antonio Lazari, Pal Doda dhe Martin Lazeri, përfaqësues të kishës françeskane, të cilët po bënin rrethimin e një sipërfaqeje toke në zonë, për të cilën kanë certifikatë pronësie.

Si pasojë e konfliktit, shtetasit e përfshirë në konflikt kanë pësuar dëmtime fizike. Nga veprimet e para hetimore, Policia e Shtetit bën me dije se në vendin e ngjarjes është gjetur dhe një gëzhojë arme zjarri. Rezulton se shtetasi që ka qëlluar me armë zjarri, gjatë konfliktit, është shtetasi Besnik Toma.

Ky shtetas ka mundur të largohet pasi ka qëlluar me armë zjarri dhe Policia e Shtetit e ka shpallur në kërkim. Besnik Toma nuk është një emër i panjohur për opinion publik dhe vetë Policinë e Shtetit, pasi disa herë është përfshirë në ngjarje që kanë përfunduar në prokurori e gjykata, në cilësinë e shoferit dhe truprojës së Mark Frrokut.