Kuriozitete

Shishet e harruara në kështjellë, verërat e vitit 1870 pritet të shiten për 50 mijë dollarë

Dy shishe “magnum” të verës Château Lafite të vitit 1870, të cilat qëndruan të harruara për gati një shekull në bodrumet e Kështjellës Glamis në Skoci, pritet të shënojnë shifra rekord në ankandin e ardhshëm të Sotheby’s në Nju Jork. Këto shishe, pjesë e koleksionit “Immortal Vintages” që do të mbahet më 17 prill 2026, vlerësohen deri në 50,000 dollarë secila.

Zbulimi në “Shpellën e Aladinit”

Historia e këtyre verërave është sa e pazakontë, aq edhe mbretërore. Kështjella Glamis, shtëpia stërgjyshore e familjes së Nënës Mbretëreshë Elizabeth II, i mbajti shishet të fshehura në bodrumet e saj të quajtura “katakombet” që prej vitit 1878.

Regjistrat e kohës tregojnë se Konti i 13-të i Strathmore i kishte blerë ato, por i kishte lënë të paprekura pasi vera ishte shumë “astringjente” (e ashpër) dhe e papijshme për shijen e tij. U deshën plot 100 vjet që vera të piqej dhe të arrinte atë që ekspertët e sotëm e quajnë “përsosmëri”.

Vlera historike dhe shkencore

Ajo që i bën këto shishe “legjendare” për koleksionistët është fakti se ato i përkasin epokës para filokserës—një epidemi insekteve që shkatërroi vreshtat evropiane në fund të shekullit të 19-të.

Verërat janë prodhuar nga hardhi të pashartuara, duke ofruar një shije të “stilit të humbur” të prodhimit të verës Bordeaux.

Ekspertët theksojnë se lagështia dhe temperatura e bodrumit të kështjellës skoceze kanë shërbyer si një “frigorifer natyror”, duke ruajtur ngjyrën e thellë dhe aromën e frutave pa asnjë gjurmë oksidimi.

Një ankand prej 1 milion dollarësh

Ankandi i Sotheby’s nuk kufizohet vetëm te dy shishet e Glamis. Ai përfshin mbi 250 lote verë Bordeaux që shtrihen në dy shekuj histori. Richard Young, kreu i shitjeve të verës në Sotheby’s, deklaroi se shishet nga ky bodrum konsiderohen “standardi i artë” për koleksionistët globalë.

Somelieri Jason Tesauro, i cili ka pasur rastin të provojë këtë vjelje, e përshkroi përvojën si “një takim me historinë”. Sipas tij, fakti që një verë 156-vjeçare mund të ruajë ende freskinë e frutave është një mrekulli e enologjisë.

Të Ngjashme