Shkatërrimi i hard disqeve të Adi Hilës, ku dyshohet se ruheshin video intime të filmuara në studion e tij, është bërë pjesë e analizës edhe nga eksperti i sigurisë, Fatjon Softa. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Softa thekson se dëmtimi i pajisjes së regjistrimit nuk do të thotë domosdoshmërisht zhdukje e gjurmëve digjitale dhe se hetimi duhet të shtrihet në të gjithë zinxhirin e të dhënave.
“HARD-DISKU MUND TË SHKATËRROHET. GJURMA DIGJITALE JO DOMOSDOSHMËRISHT”, shkruan Softa, duke nënvizuar se, nëse konfirmohet dëmtimi i pajisjes së regjistrimit, kjo nuk e mbyll hetimin, por ngre pyetje të tjera mbi vendin ku kanë qenë dhe ku mund të kenë kaluar të dhënat.
Sipas ekspertit, një sistem kamerash mund të jetë i lidhur me pajisje dhe sisteme të tjera, si microSD, kompjuterë, telefona, USB, serverë, NVR ose shërbime cloud. Edhe në rast se një pajisje dëmtohet, sipas tij, mund të mbeten metadata, regjistra aksesi, kopje rezervë, gjurmë rrjeti, adresa IP dhe të dhëna të tjera që mund të shërbejnë për hetimin forenzik.
“HARD-DISKU MUND TË SHKATËRROHET. GJURMA DIGJITALE JO DOMOSDOSHMËRISHT.
Nëse konfirmohet se pajisja e regjistrimit është dëmtuar, kjo nuk e mbyll hetimin. Përkundrazi, hap një pyetje shumë më të madhe:
Ku kanë qenë dhe ku mund të kenë kaluar të dhënat?
Një sistem kamerash mund të ketë microSD, kompjuter, telefon, USB, server/NVR ose cloud. Edhe kur një pajisje dëmtohet, mund të mbeten metadata, log-e aksesi, kopje rezervë, gjurmë rrjeti, adresa IP dhe të dhëna të tjera forenzike.
Prandaj hetimi nuk duhet të ndalet te pajisja e dëmtuar.
Duhet rindërtuar i gjithë zinxhiri digjital:
Kush regjistroi → kush aksesoi → kush kopjoi → kush transferoi → kush publikoi?
Nëse materialet kanë kaluar në platforma online, përmes procedurave ligjore dhe bashkëpunimit ndërkombëtar mund të kërkohen të dhëna teknike që ndihmojnë në identifikimin e burimit. Por një IP nuk është automatikisht autori; ajo duhet lidhur me prova të tjera.
Në hetimin modern digjital, shkatërrimi i një pajisjeje nuk do të thotë domosdoshmërisht shkatërrim i provës. Mund të jetë vetëm shkatërrimi i një prej kopjeve të saj.
Prandaj pyetja sot nuk është vetëm: “Kush e ka videon?”
Pyetja profesionale është:
“Kush e krijoi, kush e kontrolloi, kush e nxori nga sistemi dhe kush e hodhi në publik?”
Aty fillon e vërteta
Profesionistët e Lirë për Shqipërinë
Alo Policia-112- Siguria ne Fokus. nga Fatjon Softa”, shkruhet në postimin e Softës.
