Shkëmb Manaj, anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë partia e tij do t’i vazhdojë negociatat me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve.
Kushti i LDK-së sipas Manajt është sigurimi i pozitës së presidentit.
“LDK vlerëson se i njëjti subjekt politik nuk mund ta ketë edhe kryeministrin edhe presidentin e Republikës së Kosovës. Në negociata shkojmë për ta siguruar postin e presidentit. Kjo do të jetë pjesë e diskutimeve”, deklaroi Shkëmb Manaj në emisionin “Infonata” në Tëvë1.
Ai premton se LDK nuk do të bëhet pengesë për formimin e institucioneve.
“Datat po afrohen. LDK do ta jep kontributin maksimal që vendin mos ta dërgojmë në zgjedhje”, tha Manaj.
I pyetur nëse LDK do ta propozojë ish-presidenten Vjosa Osmani edhe për një mandat, Manaj e rikujton një deklaratë të dhënë nga Osmani kohë më parë.
“Dihet se në zgjedhje kemi kandiduar me Vjosa Osmanin. Vet Osmani ka thënë se nuk do të bëhet pengesë për formimin e institucioneve. Gjithçka mbetet për t’u diskutuar”, theksoi Shkëmb Manaj.
