Selam Shkodra, njohës i çështjeve politike ka vlerësuar se kërkesa për shtyrjen e propozimit për kryetar të Kuvendit është bërë në dakordim me Lidhjen Demokratike të Kosovës, me të cilën parti LVV është në bisedime për një marrëveshje.
Shkodra tha se pas seancës pati sinjale nga dy partitë që folën për një përafrim.
Ai në emisionin “Këndi i Debatit” ka përmendur edhe faktin se as LDK e as Abdixhiku nuk patën ndonjë reagim për shtyrjen e seancës konstituive.
“Sot sa pash në nuancat politike, kjo kërkesë e z,Kurti është bërë në dakordanc me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Para shkuarjes në seancë kishte sinjale për lëvizje të tilla. Folën për një përafrim shumë të madh, nuk thanë që janë marrë vesh , kjo nënkupton se mund të gjende një zgjidhje por ju duhet edhe pak kohë dhe kështu ndodhi. Nuk kishte reagime të forta nga linja zyrtare, apo kryetari i partisë”, ka thënë ai.
Sa i përket mundësisë së arritjes së ndonjë marrëveshje, Shkodra tha se LVV e LDK duhet të tregohen më tolerante. Ai tha se nga deklarimi i Kurtit u pa se nuk është i gatshëm për një president partiak.
“Tani duhet të ketë një tolerancë nga palët që janë tu negociua. z.Kurti e përqendroi qëndrimin e tij dhe në bazë të asaj që unë pash i njëjti nuk është i gatshme me dhanë një president partiak”, ka thënë ai.
Të enjten dështoi konstituimi i Kuvendit të legjislaturës së XI-të, pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk propozoi emër për kryeparlamnetar.
Kurti kërkoi kohë për bisedime.
Ai tha se konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa një marrëveshje për presidentin rrezikon që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
