Një 27-vjeçare ka humbur jetën gjatë një procedure kirurgjike estetike të njohur si “Brazilian butt lift”.
Barbara Laura Souza Feliz ishte paraqitur të martën në një klinikë private për të kryer një ndërhyrje ku yndyra hiqet nga barku dhe shpina dhe transferohet në vithe. Gjatë fazës së transplantimit të yndyrës, stafi mjekësor ka vërejtur një rënie të menjëhershme të funksionit të saj të frymëmarrjes, para se zemra e saj të ndalonte.
Mjekët u përpoqën ta rikthenin në jetë për më shumë se një orë, por 27-vjeçarja u shpall e vdekur në vend në orën 12:20.
Sipas mjekëve, shkaku më i mundshëm i vdekjes dyshohet të jetë një emboli pulmonare, e shkaktuar ndoshta nga yndyra e injektuar gjatë procedurës.
Në vendngjarje ka ndërhyrë edhe policia, e cila ka nisur hetimet për rastin, ndërsa trupi i saj është dërguar për autopsi në Institutin Mjeko-Ligjor Andre Roquette.
E reja nga Belo Horizonte, Brazil, punonte si shitëse dhe ishte beqare pa fëmijë, pa probleme të njohura shëndetësore. Ajo ishte rritur nga gjyshja dhe kishte një vëlla, ndërsa babai i saj kishte ndërruar jetë dhe nëna jeton në Spanjë, shkruan Mirror.
