ShowBizzz

Shokuese: Numri i pacientëve me k*ncer prostate në rang global, pritet të dyfishohet!

Sipas një analize të re të mbështetur nga programi i grupit të studimeve mjekësore the Lancet Commission, sugjerohet se numri i rasteve vjetore të pacientëve me kancer prostate do të rritet nga 1.4 milionë në vitin 2020, në 2.9 milionë në vitin 2040. Rastet më të shumta të vdekjeve të pacientëve me këtë lloj kanceri do të jenë nga vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, thote VOA. Kampioni i atletikës, Joe Appiah, mban disa rekorde evropiane dhe britanike në vrapimin me pengesa. Ai u diagnostikua me kancer të prostatës në vitin 2021. “Në një kuptim jam me fat. Nuk pata simptoma. Nuk kisha ndonjë dijeni për kancerin e prostatës, por një shoku im më telefonoi për të më thënë se e kishte këtë lloj kanceri. Unë u habita pasi ka moshë të njëjtë me mua; është edhe ai i shëndetshëm dhe në formë të mirë. E njohim njëri-tjetrin për shkak të sporteve, kështu që u trondita. Më inkurajoi të shkoja për t’u testuar”, thotë zoti Appiah.

Kanceri i prostatës është lloji më i zakonshëm i kancerit për meshkujt. Një analizë e re nga grupi “The Lancet Commission” vlerëson se rastet me kancer prostate do të rriten nga 1.4 milionë në vitin 2020, në 2.9 milionë në vitin 2040. Sipas raportit, që nga mesi i viteve 1990 vdekjet nga kanceri i prostatës kanë rënë në vendet me të ardhura të larta. Por, vlerësohet se do të rritet me 80% numri i vdekjeve ndër meshkujt në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. “Për momentin janë rreth 1.4 milionë meshkuj në vit që diagnostikohen me kancer prostate. Kjo do të dyfishohet në 10-15 vitet e ardhshme dhe pothuajse të gjitha rastet e shtuara do të jenë nga vendet me të ardhura të ulëta dhe të larta. Pra, në vendet si Britania, ku unë jetoj, do të shohim një vazhdimësi në nivele të qëndrueshme dhe do të ketë ndryshime të mëdha në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme”, thotë Nick James, profesor për kancerin e prostatës dhe të fshikëzës në Institutin për Studimin e Kancerit, në Londër.

Profesori James thotë se rritja e rasteve nuk është diçka që mund të parandalohet nëpërmjet masave të sistemit të shëndetit publik. “Vjen së bashku me ndryshimet e popullsisë. Dhe çelësi për të zbutur pasojat është diagnostikimi dhe trajtimi mjekësor i hershëm, për të mos pritur të reagohet vetëm kur njerëzit të paraqiten në gjendje të rënduar”, thotë ai. Profesori James sugjeron që të përdoren metoda për ndërgjegjësimin si nëpërmjet mediave sociale dhe teknologjive të bazuara tek celularët, paisje të cilat mund të shfrytëzohen edhe për menaxhimin e të dhënave mjekësore duke shmangur kështu metodat e vjetëruara në letër dhe sisteme të tjera të largëta. Më të rrezikuarit nga kanceri i prostatës janë meshkujt afrikano-amerikanë. Sipas Qendrës për Kancerin e Prostatës në Britani, 1 në 4 prej tyre do të preket nga ky lloj kanceri. Arsyeja nuk dihet ende. Në rastin e atletit Appiah, kanceri u evidentua herët dhe ndodhej vetëm në prostatë dhe nuk ishte përhapur ende në organe të tjera. “Kjo do të thoshte se unë kisha opsione më të mira për trajtimin mjekësor. Dhe më sugjeruan që për moshën time dhe faktin që jam në formë të mirë, do të ishte më mirë që ta hiqnin, duke më dhënë kështu edhe shanse më të mira mbijetese”, tregon zoti Appiah. Kampioni i atletikës bën tashmë fushatë për të rritur ndërgjegjësimin për kancerin e prostatës.



bal