Lajme

Shpërthim me tritol në Tiranë, hidhet në erë lokali me qira i 24 vjeçarit

Një shpërthim me tritol ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune në Kamëz, në rrugën “Donald Trump”. Policia e Tiranës bën me dije se ngjarja ka ndodhur në orën 04:25, në një lokal të marrë me qira nga një 24 vjeçar.

Fatmirësisht, nga shpërthimi nuk ka pasur persona të lënduar sepse biznesi i Oltjon Muçaj ka qenë i mbyllur, por si pasojë e shpërthimit është dëmtuar fasada e jashtme e lokalit e janë thyer disa xhama.

Grupi hetimor ka shkuar në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të shpërthimit, shkaqet që i kanë çuar autorët drejt këtij akti dhe identifikimin e kapjen e tyre.

“Më datë 18.11.2023, rreth orës 04:25, në rrugën “Donald Trump”, në ambientet e jashtme të një lokali të marrë me qira nga shtetasi O. M., 24 vjeç, dyshohet se ka shpërthyer lëndë plasëse.

Si pasojë është dëmtuar fasada e jashtme e lokalit dhe janë thyer disa xhama. Nuk ka persona të dëmtuar. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/eve”, njofton Policia e Tiranës.