Lajme

Shpërthim në një qendër strehimi refugjatësh në Itali, të paktën 30 të plagosur

Të paktën 30 persona janë plagosur në Italinë qendrore pas një shpërthimi në një vendstrehim refugjatësh që shkaktoi shembjen e ndërtesës, raportojnë mediat italiane. Shumica pësuan lëndime të lehta në shpërthimin e ndodhur gjatë natës të premten.

Agjencia italiane e lajmeve ANSA raportoi se ka nisur një hetim pasi shkaku i shpërthimit është i paqartë. Mes të plagosurve ka dhe disa fëmijë. Prokuroria e Viterbos ka hapur dosjen hetimore dhe mes hipotezave nuk përjashtohet një rrjedhje gazi.

Deri më tani, nuk ka pasur indikacione se mund të jetë një sulm. Në vendngjarje, tre helikopterë transportuan të plagosurit në spitalet e Viterbos, Montefiascone, Sienës dhe Romës.

Të pranishëm ishin edhe njësi të ndryshme zjarrfikëse nga Viterbo dhe Tarquinia. Prokurorët e Viterbos, të koordinuar nga prokurori Paolo Auriemma, kanë hapur një dosje hetimore në lidhje me shpërthimin që shkaktoi shembjen e një ndërtese në San Lorenzo Nuovo që strehonte emigrantë. Për momentin magjistratët procedojnë për veprën penale të fatkeqësisë nga pakujdesia.