Lajme

Shpërthimi në Lushnjë, Sefa: Nesër nis verifikimi për dëmet në banesa e biznese

Dy nga të lënduarit nga shpërthimi i kapanonit në Lushnjë kanë lënë spitalin, ndërsa njëri ndodhet ende nën kujdesin e mjekëve.

Në lidhje me ngjarjen ka folur edhe kryetarja e bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa, e cila është shprehur se është përgatitur një grup ekspertësh të cilët do të verifikojnë dëmet që janë shkaktuar në banesa dhe biznese nga shpërthimi.

Ajo është shprehur se ekspertët do të nisin verfikimet në terren nga dita e nesërme.

Kujtojmë që Roland dhe Helidon Verçani (Hoxha) humbën jetën tragjikisht teksa po punonin në një kapanon ndërtimi në Lushnjë. Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së premtes, 1 mars, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm humbën jetën vinçieri dhe djali i tij, si dhe u plagosën shtatë të tjerë.

Mes tyre edhe pronari i fabrikës ku dhe po bëheshin punimet, deputeti socialist Bujar Çela, i cili si pasojë e plagëve të marra nga shpërthimi i është nënshtruar disa ndërhyrjeve kirurgjikale dhe ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Vinçieri Roland Verçani (Hoxha) dhe djali i tij 20-vjeçar, Elidoni, ishin duke shkarkuar dy bombula me oksigjen dhe sipas asaj që hetuesit kanë bërë me dije deri më tani dyshohet se plasja e njërës prej tyre ka sjellë dhe shpërthimin e fuqishëm.

Ne foto: Roland dhe Helidon Verçani (Hoxha)
Ne foto: Roland dhe Helidon Verçani (Hoxha)

Si pasojë e shpërthimit humbi jetën në vendin e ngjarjes Roland Hoxha, ndërsa djali i tij Elidoni, humbi jetën rrugës duke ardhur në Tiranë për te Spitali i Traumës. Më herët u bë me dije për mediat se i riu kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga emigracioni. Ata e kishin ditën e parë të punës, por nuk e dinin se ajo do të ishte edhe dita e fundit për ta.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo