Lajme

“Shqetësime për …”, eksperti amerikan tregon pse SHBA është kundër hapjes së urës së Ibrit tani

Profesori për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben-Meir, ka analizuar vizitën e drejtorit të CIA-s William Burns, javën e kaluar në Ballkan.

Burns vizitoi Bosnjë e Hercegovinën, Serbinë dhe Prishtinën, në turin e tij disa ditor në Ballkan.

Eksperti amerikan e vlerëson historike vizitën e Burnsit, që sipas tij, kishte për qëllim forcimin e lidhjeve mes Kosovës dhe SHBA-së.

Image
Alon Ben-Meir

“Vizita e drejtorit të CIA-s, Burns në Ballkan, shihet si një vizitë historike që synon forcimin e lidhjeve në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo nënvizon lidhjen e fortë dhe të qëndrueshme midis dy vendeve dhe paraqet një mundësi për të zgjeruar bashkëpunimin strategjik, veçanërisht në fushat e paqes dhe sigurisë në të gjithë rajonin”, është shprehur Ben-Meir për gazetën “Bota sot”.

Vizita e Burnsit erdhi mes shqetësimeve për marrëdhëniet e SHBA-së me Kosovën dhe ndikimin e Rusisë në Ballkan.

Sipas analistit të Ballkanit, shefi i CIA-s gjatë vizitës adresoi edhe çështjen e hapjes së urës së Ibrit, për të cilën po insistion Qeveria e Kosovës. Ai ka thënë se SHBA, është e shqetësuar për “veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës” si dhe aktivitetet ruse në Ballkan.

“SHBA-ja ka qenë e shqetësuar për veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të qeverisë së Kosovës me BE-në, siç është hapja e urës së Ibrit. Burns adresoi këto çështje dhe shumë të tjera për të përforcuar rëndësinë e angazhimit konstruktiv me SHBA-në, Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

Për më tepër, SHBA është gjithnjë e më e shqetësuar për aktivitetet ruse në Ballkan, të cilat Uashingtoni i konsideron si destabilizuese. Burns theksoi gjithashtu sfidat, me të cilat po përballet SHBA dhe përsëriti përkushtimin e saj për të kundërshtuar ndikimin rus dhe mbështetjen e pavarësisë dhe integritetit territorial të Kosovës dhe shteteve të tjera të Ballkanit”, ka theksuar më tej Alon Ben-Meir.

Ai më tej ka analizuar edhe temat, të cilat i diskutoi shefi i CIA-s, në takimet e tij me krerët e lartë shtetërorë në Kosovë.

“Burns diskutoi shumë tema të tjera, duke përfshirë ripohimin e përkushtimit të Kosovës për demokracinë, sundimin e ligjit dhe integrimin euroatlantik, të cilat janë shtylla themelore të qeverisjes së Kosovës dhe përputhen me vlerat e SHBA-së.

Përveç kësaj, Burns sigurisht diskutoi çështjet e sigurisë që përfshinin trajtimin e marrëdhënieve ndërmjet pakicës serbe të Kosovës dhe qeverisë dhe definitivisht përfshiu një diskutim serioz rreth, siç u tha më lart, rihapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë, kundër të cilës SHBA-të janë këshilluar për shkak të shqetësimeve të sigurisë që mund të përfshijë rihapja e urës.

Së fundi, Burns trajtoi gjithashtu se si të forcohet bashkëpunimi i inteligjencës ndërmjet CIA-s dhe agjencive të inteligjencës së Kosovës, duke u fokusuar në sigurinë e përgjithshme rajonale dhe shkëmbimin e inteligjencës për të kundërshtuar kërcënimet e jashtme dhe për të ruajtur stabilitetin rajonal”, ka thënë eksperti amerikan.

Ai ka shtuar se “vizita e Burns në Kosovë theksoi rëndësinë strategjike të Ballkanit për SHBA-në dhe përpjekjet e vazhdueshme për të ruajtur stabilitetin dhe për t’iu kundërvënë ndikimeve të jashtme në Ballkan”.

Pas takimit me Burns, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se “dëshiron t’i forcojë e zgjerojë edhe më tej marrëdhëniet e fuqishme bilaterale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Sipas kreut të ekzekutivit, vizita e drejtorit të CIA-s “ishte një mundësi fort e mirë për të biseduar një gamë të gjerë temash dhe për të thelluar e avancuar bashkëpunimin strategjik, në shërbim të paqes demokratike dhe sigurisë euro-atlantike në rajon e më gjerë”.

“Kosova është shembull suksesi i demokracisë zhvillimore, ku anti-korrupsioni është bërë rritje ekonomike, kurse qeverisja e mirë është bërë mirëqenie shoqërore. E njoftova z. Burns me progresin e vendit tonë, të cilin e ruajmë dhe mbrojmë teksa e ngremë më tej dhe shtojmë. Qeveria e Republikës së Kosovës gjithashtu po i menaxhon sfidat e brendshme të sigurisë suksesshëm, e drejtuar nga forca e ligjit të drejtë me institucione e mekanizma të shtetit tonë demokratik”, ka shkruar Kurti në Facebook, pas takimit me Burns.