Kryeministri Edi Rama është takuar sot në Madrid me homologun e tij spanjoll, Pedro Sanchez.
Takimi i Ramës me homologun spanjoll u krye në kuadër të panairit të madh global “FITUR Madrit”, i cili do të mbahet ditën e nesërme në Madrit.
Kreu i qeverisë shqiptare publikoi sot në rrjetin e tij social në Facebook foto nga takimi me Perdo Snachez, i cili e priti Ramën në zyrën e tij në Madrid.
“Me kryeministrin e Spanjës, Pedro Sánchez një ditë përpara pjesëmarrjes së Shqipërisë në panairin e madh global të turizmit “FITUR Madrid”, shkruan Rama krahas fotove.
Takimi i Ramës me Sanchez u pasua nga takimi i zgjeruar dypalësh mes dy delegacioneve.
Në fotot e publikuara nga Rama duken edhe pjesëtarët e delegacionit, mes tyre ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro, e cila i dhuroi kryeministrit spanjoll një palë opinga të kuqe, si shenjë e traditës shqiptare.
Në përbërje të delegacionit që shoqëron Kryeministrin Rama janë gjithashtu edhe disa nga kryetarët e bashkive të vendit tonë: kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako, kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, kryetari i bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi dhe kryetari i bashkisë Sarandë Oltion Çaçi.
Ditën e nesërme, kryeministri Rama do të marrë pjesë në çeljen e Panairit Ndërkombëtar të Turizmit “FITUR 24” që do të bëhet nga Mbreti i Spanjës Felipe VI, ku do të prezantohet diversiteti i pasur turistik i vendit tonë, si një destinacion unik për t’u promovuar e vizituar.
Gjatë pjesëmarrjes në panair, Rama do të takohet me sipërmarrës dhe drejtues të kompanive prestigjioze botërore, si dhe përfaqësues të Organizatës Botërore të Turizmit.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo