Komuniteti shqiptar në Teksas zhvilloi një protestë para Kapitolit të shtetit në Austin, kundër verdiktit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe në mbështetje të luftës çlirimtare të Kosovës.
Pjesëmarrësit mbanin flamujt e ShBA-ve, Kosovës dhe të Shqipërisë, si dhe pankarta me mesazhet “Not in My Name” dhe “Freedom Has a Name: UÇK”.
Në protestë folën kryetari i Komunitetit Shqiptaro-Amerikan në Teksas, Visar Visoka, veterani i UÇK-së, Ekrem Hyseni, ish-kryetari i komunitetit, Nazar Mehmeti, z. Bruno Ceka, Ruzhdi Halili, Agim Halili dhe zëvendëskryetari i Bashkisë së Wylie, z. Gino Mulliqi.
Folësit e cilësuan verdiktin të padrejtë, shprehën besimin e tyre në procesin e apelimit dhe bënë thirrje për bashkimin e faktorit politik shqiptar në Kosovë dhe në diasporë për mbrojtjen e historisë së luftës çlirimtare.
