TIRANË – Një valë solidariteti është krijuar në mbështetje të File Bulkut dhe djalit të saj Endi, i cili është në spektrin e autizmit, pas incidentit të ndodhur pranë Kuvendit dhe deklaratave të bëra më pas nga kryeministri Edi Rama.
Përmes një fushate humanitare në platformën GoFundMe, qytetarë të shumtë kanë kontribuar për familjen, duke bërë që shuma e mbledhur deri tani të arrijë rreth 150 mijë dollarë.
File Bulku ka reaguar pas deklarimeve lidhur me praninë e saj në protestën para Parlamentit, duke sqaruar se ajo nuk kishte marrë pjesë si protestuese, por ndodhej aty pasi po shoqëronte djalin e saj për terapi. Ajo ka deklaruar se gjatë protestës djali i saj, i cili është me spektër autik, është prekur nga situata e krijuar.
Fushata humanitare është organizuar nga organizata jofitimprurëse “Brandon Forever 22 Legacy”, e cila ka bërë të ditur se familja jeton në kushte të vështira dhe se banesa e tyre ka nevojë për rikonstruksion. Fondet e mbledhura synojnë të përdoren për përmirësimin e kushteve të jetesës, trajtimin dhe kujdesin e nevojshëm për Endin.
