LifeStyle

Shtatë gjëra që duhet t’i mbani larg qenit tuaj

Shumica prej atyre që kanë qen, kur dalin në piknik, bashkë me shportën plot ushqime, marrin me vete dhe qenin e tyre. Por duhet të bëni kujdes dhe ta mbani mikun tuaj sa më larg gjërave që e rrezikojnë…

Brenda shtëpisë

Mirë apo keq, qentë tanë kalojnë një pjesë të madhe të kohës në shtëpitë tona dhe shumë gjëra, në dukje aspak armiqësore, mund të kthehen në rreziqe të forta për shëndetin e tyre. Aq më tepër nëse kemi parasysh që ata tentojnë të kafshojnë pothuajse çdo gjë që nuhasin turinjtë e tyre.

Çokollata – Kaq e pasur në antioksidantë të mirë për njerëzit dhe kaq e dëmshme për qentë, të paktën për disa raca të caktuara. E nga ana tjetër duket se ata çmenden për të. Alkaloidet methylxanthine, një nga përbërësit e çokollatës, në gjendje të ndikojnë tek arteriet e të shtojnë rrahjet e zemrës, janë shkaktarët kryesorë që e kthejnë çokollatën e pafajshme, në kërcënim për jetën e këlyshëve tanë.

Hudhra mund të shkaktojë të vjella, anemi e diarre apo të dëmtojë mëlçinë, kështu që asnjëherë mos i jepni kafshës suaj ushqim që mund ta përmbajë, përfshirë dhe ushqimet e fëmijëve.

Qepët, po ashtu, mund të dëmtojnë mëlçinë e të shkaktojnë anemi e diarre.

Anti-ngrirësi që përdorni për makinën tuaj, mund t’u ndalojë plotësisht funksionin e veshkave, por ja që duket se qentë e adhurojnë shijen e tij.

Kokrrat anti-molë – Kimikati kryesor përbërës i tij, naftalina, është jashtëzakonisht helmues për qentë. E në të njëjtën kohë, kujdes nga ushqimet e gatshme të qenve që janë të ngjyrosura artificialisht, sasia e madhe e sodiumit apo konservuesve.

Jashtë shtëpisë

Shëtitjet në natyrë janë të domosdoshme për kafshët, po aq sa ripërtëritëse për ne. Por bimësia, në disa raste mund të kthehet në rrezik.

Kërpudhat p.sh. mund të shkaktojnë dhimbje barku, dëmtim të mëlçisë, veshkave apo edhe anemi. Sigurisht, jo të gjitha llojet e kërpudhave kanë këtë efekt. Megjithatë, tregohuni gjithmonë vigjilent nëse këlyshi juaj afrohet për të nuhatur kërpudhat e egra.

Pemët e mollës apo të qershisë – Ndërsa fruti duket të jetë i padëmshëm, ndodh krejtësisht e kundërta kur vjen fjala për gjethet apo rrënjët e tyre. Ndaj mbajeni qenin larg prej tyre.