Lajme

Shtiu me armë në mal, arrestohet i dyshuari në Suharekë

Të enjten, rreth orës 14:30, në Nënstacionin Policor në Mushtisht janë paraqitur dy ankues, vëllezër mes vete. Të dy janë intervistuar dhe kanë deklaruar se, derisa ishin në bjeshkën e Bukoshit duke prerë dru me leje të vlefshme nga Drejtoria e Pylltarisë, në një moment kanë dëgjuar një krismë arme, ndërsa një predhë kishte goditur automjetin e tyre (pick-up).

Patrulla policore se bashku me njësitë përkatëse, gjatë verifikimit të ankesës ka evidentuar një predhë të kalibrit të panjohur në brendësi të automjetit.

Pas ndërmarrjes së veprimeve operative dhe hetimore, policia ka arritur të identifikojë të dyshuarin (S.K. mashkull 61 vjeçar), i cili është paraqitur në stacionin policor pas ftesës së policisë. Në konsultim me prokurorin e shtetit, është kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit në fshatin Bukosh të Suharekës, ku është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, pistoletë e tipit Zastava 99, si dhe 59 fishekë të kalibrit të panjohur.

I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit të autorizuar. Gjatë intervistimit, ai ka pranuar se kishte shtënë në ajër me armë, por ka deklaruar se nuk kishte për qëllim të lëndonte askënd.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

Të Ngjashme