Lajme

Shtyhet gjyqi për Paplekajn, do rindërtohet skena e krimit ku u vra Pjerin Xhuvani

Seanca për Arbër Paplekaj në Gjykatën e Apelit është shtyrë sërish.

Seanca e radhës do të mbahet më 9 prill, ora 12:30. Në seancën e mbajtur këtë të hënë në Gjykatën e Apelit u vendos që të rindërtohet nga e para skena e vrasjes së Pjerin Xhuvanit në Elbasan në zgjedhjet parlamentare të 2021.

Pas përfundimit të seancës së sotme, Gjykata tha se do njoftojë Policinë e Shtetit për mbështetje kur të vendoset dita e rindërtimit të vendit të ngjarjes nga ekspertët.

Ky vendim nga Apeli erdhi pasi më 4 Mars, Apeli i Juridiksionit të Përgjithshëm pranoi kërkesën e ish-efektivit të Gardës, Arbër Paplekaj për kryerjen e një ekspertimi kriminalistik nga ekspertë të fushës në lidhje me vrasjen e ish-zyrtarit në Elbasan, Pjerin Xhuvani.

Kështu u vendos dhe rihapja pjesërisht e procesit. Paplekaj bëri kërkesën për kryerjen e një ekspertimi kriminalistik pasi kërkon të ndryshohet akuza në “Vrasje në kushtet e tronditjes psikike”.

Trupa gjykuese ka urdhëruar që Arjan Hako, ekspert i Institutit të Policisë Shkencore dhe 2 ekspertë të pavarur, Artan Rexhepi dhe Shpëtim Buda, do të rindërtojnë skenën e krimit.

Mësohet se eksperti i Policisë së Shtetit ka deklaruar në seancë se “Nuk mund të marrë pjesë në këtë proces, nuk ma lejon rregullorja e punës”. Ekspertët e vendosur nga trupa gjykuese do rindërtojnë skenën e krimit. Ata do duhet të përcaktojnë drejtimin e qitjes dhe distancën nga është qëlluar.

Arbër Paplekaj akuzohet për vrasjen e Pjerin Xhuvanit dhe mbi të rëndojnë veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit, e mbetur në tentativë”, “Heqja e paligjshme e lirisë e kryer me dhunë” në bashkëpunim.

Ngjarja e rëndë në Elbasan ka ndodhur pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021, ku siç u tha pati shkëmbim zjarri kur u kap makina e shtabit të PS-së nga Struktura e Mbrojtjes së votës, e ngritur nga PD, duke shpërndarë para në këmbim të votës.

I vrarë mbeti Pjerin Xhuvani, u plagos efektivja Xhensila Sota dhe tre persona të tjerë.

Paplekaj pranoi krimin dhe u vetëdorëzua në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë duke thënë se qëlloi për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga persona që sipas tij po blinin vota.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo