Lajme

Shuhet atë Artur Liolini, Kryekancelar i Dioqezës Shqiptare të Kishës Orthodhokse në Amerikë

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë njofton se dje, më datë 28 Shtator, ka ndërruar jetë atë Artur Liolini. Atë Arturi ishte nxënës i Imzot Theofan Nolit dhe vazhdoi me përkushtim veprën e tij deri ditën që mbylli sytë në moshën 80 vjeçare, në SHBA.

Ai lindi më 19 qershor 1943 në Nju Jork, në një familje me origjinë nga Boboshtica e Korçës dhe studioi për Histori Arti (Mesjeta dhe Bizanti) në Universitetin “Princeton”.

Në vitin 1970, Artur Liolini u dorëzua prift në Boston dhe i shërbeu komunitetit shqiptar në kryekishën e Shën Gjergjit. Në vitin 1975 u emërua Kancelar i Kryedioqezës Shqiptare të Kishës Orthodhokse në Amerikë, të cilës i shërbeu derisa ndërroi jetë.

Gjatë shërbimit të tij, atë Arturi gjallëroi jetën shpirtërore dhe veprimtaritë e komunitetit orthodhoks shqiptar.

Atë Artur Liolini ka bërë disa vizita në Shqipëri, duke qenë dashamirës i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe ka mbështetur veprën e ringritjes së saj nga gërmadhat e regjimit ateist. Në vitin 2010 ai mirëpriti në Boston Kryepiskopin Anastas, me rastin e 100-vjetorit të Kryedioqezës Shqiptare.