Fadil Vokrri ishte futbollist i madh, por stadiumi që mban emrin e tij, është shumë i vogël.
13 mijë ulëset e tij nuk mjaftojnë që të pranojnë të gjithë ata që duan të vijnë e të shohin futboll, kur këtu luan kombëtarja e Kosovës.
Ndeshjet që dardanët i luajtën në fushatën për kualifikim në botërorin 2026, e sidomos play offi kundër Turqisë, dëshmuan për nevojën më shumë se emergjente për një stadium nacional të përmasave dy ose trefishe krahasuar me “Fadil Vokrrin”, e Prishtinës.
Mundësitë që Kosova ta kishte një projekt të tillë për të bërë realitet ishin, por shanset që lindën 10 vjet më parë, u venitën, për faj të atyre që nuk luajnë, por të cilët bëjnë politikë.
Një projekt ambicioz për ndërtimin e stadiumit kombëtar të Kosovës, ishte iniciuar pas pranimit të vendit në UEFA në vitin 2016, moment ky kyç që zuri vend në Budapest të Hungarisë. Disi, në të, u përfshi edhe shteti nikoqir i kësaj ngjarje, që nisi të bisedojë me Qeverinë e Kosovës në terma konkretë për këtë gjë.
Burimet bëjnë të ditur se pala hungareze kishte ofruar një kredi të butë për financimin e projektit, duke përfshirë hartimin dhe ndërtimin e stadiumit sipas modelit të stadiumit “Puskas Arena”, që ndodhet në Budapest.
KosovaPress mëson se stadiumi ishte planifikuar të kishte rreth 30 mijë ulëse dhe të ndërtohej sipas standardeve të UEFA-s dhe FIFA-s, me një kosto që kapte vlerën mbi 50 milionë euro dhe e cila mund të arrinte edhe deri në rreth 80 milionë, për shkak të objekteve përcjellëse, si fusha ndihmëse dhe infrastruktura tjetër sportive.
Kushti i vetëm që kishte kërkuar shteti hungarez, ishte që 60 për qind e stadiumit të ndërtohet nga kompanitë e këtij shteti, ndërsa pjesa tjetër, nga ato kosovare.
Sa i përket lokacionit, burimet e KosovaPress, tregojnë se ishte propozuar zona e Bërnicës, e cila në atë kohë ishte identifikuar si pronë publike, pas vendimeve të qeverisë që në atë periudhë drejtohet nga ish-kryeministri Isa Mustafa, për rregullimin e pronave shoqërore dhe regjistrimin e tyre në emër të Republikës së Kosovës.
Megjithatë, përkundër avancimit të diskutimeve dhe vizitave zyrtare mes dy vendeve, projekti nuk u konkretizua. Burime të KosovaPress-it, theksojnë se procesi përfundoi pa një marrëveshje formale për shkak se në atë kohë, brenda institucioneve tona nuk pati pajtueshmëri për vendin ku do të ndërtohej stadiumi, pasi kishte insistim që ai të bëhet në Korroticë të Drenasit, që në fakt, kishte qenë edhe propozimi i parë për stadiumin nacional. Duke parë situatën e krijuar dhe vonesat e palës kosovare për shtyrë përpara këtë projekt, pala hungareze, sipas burimit, hoqi dorë duke u larguar në mënyrë të heshtur.
KosovaPress ka dërguar disa pyetje te Ambasada Hungareze në Prishtinë, për të mësuar versionin e Budapestit për dështimin e projektit por ende nuk ka marrë përgjigje. Ato do të publikohen kurdo që ambasada i kthen.
Plani që nuk u bë kurrë realitet, e kishte si pjesë të tij edhe ndërtimin e një hoteli me pesë yje, dy fusha ndihmëse dhe mbulimin e shpenzimeve administrative për kredinë, çka e bënte këtë një nga projektet më të mëdha të planifikuara ndonjëherë në infrastrukturën sportive të vendit.
Pavarësisht këtij dështimi, përpjekjet për një stadium nacional e modern vazhduan edhe më tutje dhe në vitin 2019 u duk se diçka më konkrete përfundimisht po bëhej. Në qershorin e atij viti, në Muzeun e Kosovës u prezantuar projekti i Stadiumit Kombëtar, i cili do të ndërtohej në Korroticë.
Në prezantimin e tij pati marrë pjesë edhe ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, ish-ministri i sportit Kujtim Gashi, kryetari i FK-s, Agim Ademi e shumë figura të tjera.
“Republika e Kosovës duhet ta ketë stadiumin më të bukur në Ballkan gjithsesi dhe ky duhet të ndërtohet dhe të fillojë këtë vit”, kishte thënë Veseli.
Megjithatë, edhe ky projekt pati fatin e atij të mëhershëm, mbeti vetëm në letër.
“Ne e inicuam hartimin e projektit për fizibilitet. I njëjti si projekt ka përfunduar dhe po ashtu ne e kemi prezantuar përmes maketës se si do të duhej, dukej stadiumi kombëtar, përfshirë këtu edhe sigurimin e lokacionit prej afër 20 hektarësh, të cilin Komuna e Drenasit e ka bartur në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i cili i është dedikuar për ndërtimin e stadiumit kombëtar, me një kosto prej zero euro, pasi që ky projekt, kjo hapësirë e tokës ka qenë pronë publike e shtetit dhe i është dhuruar Ministrisë së Kulturës për me e ndërtuar stadiumin”, theksoi Gashi për KosovaPress.
Por sa ulëse do t’i kishte ky stadium dhe sa ishte planifikuar të kushtojë ai?
“Ne kemi pasur një kërkesë të jetë diku rreth 50.000 ulëseve, po natyrisht që ka pasur mendime të ndryshme prej 30.000 deri në 50.000 dhe një kosto prej rreth, përafërsisht rreth 60 milionë euro, 50 deri në 60 milionë euro, po flasim për një periudhë krejtësisht tjetër ku edhe çmimet kanë qenë të tjera. Ndërkohë sot jemi gjashtë vite pas pa e pasur ndonjë lëvizje në këtë drejtim dhe besoj që tashmë gjithçka ka ndryshuar sa i përket çmimeve”, tha Gashi.
Derisa ky stadium të bëhet, Kosova mbetet vetëm më atë “Fadil Vokrri”, për ndeshje të nivelit të UEFA-së dhe FIFA-s. Mbase, pas ndonjë viti, atij mund t’i shtohet edhe “vëllai” nga Mitrovica, që mban emrin e kryetrimit të Kosovës “Adem Jashari”.
Por, as ky nuk pritet të ketë kapacitet të bollshëm për të kënaqur krejt apetitet e tifozëve të shtetit, kur këtu pritët të luajë kombëtarja A e futbollit, të paktën.
Një stadium i ri, e sigurisht që edhe i madh, i është bërë obligim vendit ta ndërtojë, për Lojërat Mesdhetare që në Kosovë do të zhvillohen në vitin 2030.
Ky, megjithatë, nuk do të jetë ai që e presin të gjithë – nacional.
