Jep kënaqësi, qetësi, ndihmon në djegien e kalorive dhe mund të jetë një parandalues i fuqishëm i kancerit të prostatës. Zbuloni pse shkencëtarët rekomandojnë më shumë seks.
Shkenca ka vendosur që seksi nuk është vetëm një kënaqësi, por një “dhuratë” për shëndetin e përgjithshëm.
Ndër përfitimet që i atribuohen nga studime të ndryshme janë përmirësimi i shëndetit kardiovaskular, ulja e presionit të gjakut, forcimi i sistemit imunitar, lehtësimi i stresit, gjumë më i mirë dhe rreziku më i ulët i kancerit të prostatës.
Sipas një studimi të publikuar në JAMA në vitin 2014 ku u morën të dhënat e 32.000 amerikanëve u zbulua se ejakulimi i shpeshtë, më shumë se 21 herë në muaj, lidhej me një rrezik më të ulët të kancerit të prostatës, rreth 20%, krahasuar me frekuencë 4-7 herë në muaj.
Në vitin 2016, u publikuan gjetjet e një studimi shtesë, që konfirmoi përfundimet fillestare për ejakulimin e shpeshtë në moshë madhore si një parandalim i fortë kundër kancerit të prostatës.
Natyrisht, duhet të theksohet se marrëdhëniet seksuale nuk janë parakusht për vetitë e dobishme të ejakulimit; hulumtimet kanë treguar se përfitimet mbrojtëse janë siguruar edhe nga masturbimi.