Mëngjesin e sotëm një person nën kërcënimin e armës ka kryer një grabitje në një institucion mikro-financiar. Policia tha se është vënë në kërkim të personit të dyshuar për këtë, derisa televizioni mëson se shuma e parave që dyshohet se janë vjedhur është rreth 14 mijë euro.
Punën e nisën zakonisht sikurse edhe ditëve të tjera.
Por punëtorëve të Agjencionit për Financim të Kosovës, vetëm gjysmë ore më pas iu ndërpre procesi i punës.
Mëngjesin e së premtes, në pikën e AFK-së në Prishtinë një person nën kërcënimin e armës kreu një grabitje.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, ku kanë treguar se pas marrjes së informatës kanë dalë në vendngjarje.
“Sot rreth orës 08:30 është raportuar për një grabitje të ndodhur në një institucion mikrofinanciar,në rrugën ‘Gazmend Zajmi’ në Prishtinë. Pas marrjes së informacionit policia ka dalë në vendngjarje dhe bazuar në informacionet e para, dyshohet se një personi i maskuar nën kërcënim të armës ka grabitur një shumë të parave, thuhet nga Policia.
Po ashtu, në komunikatën e Policisë u bë e ditur se tashmë janë vënë në kërkim të të dyshuarit për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
“Policia ka iniciuar një hetim lidhur me rastin dhe ka nisur me ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme policore me qëllim zbardhjen e rrethanave të rastit si dhe identifikimin dhe arrestimin e personit të dyshuar”, thuhet në komunikatë.
Ndërkaq, Tëvë1 përmes burimeve mësoi edhe shumën e parave që është vjedhur në këtë institucion mikro-financiar.
Në grabitjen e së premtes që ndodhi këtu në këtë institucion banker dyshohet se u vodhën rreth 14 mijë euro, derisa hetuesit policorë janë ende në vendin e ngjarjes duke bërë ekzaminimet e tyre
E përgjatë kohës sa ishin prezentë hetuesit policorë, siguruan prova të mjaftueshme rreth këtij incidenti.
Ndërkaq, edhe punonjësit që ishin aty gjatë kohës kur ishte kryer grabitja dhanë dëshmitë e tyre.
E pas më shumë se dy orësh ekzaminime të vendit të ngjarjes, Policia hoqi shiritat nga perimetri i sigurisë dhe hyrje daljet në këtë objekt u lejuan nga ta.
Tëvë1 tentoi të marrë një qëndrim nga përfaqësuesit e këtij institucioni, mirëpo të njëjtit nuk kanë pranuar të flasin para kamerës.