LifeStyle

Si të çliroheni nga një marrëdhënie toksike

Fakti që dashuria është e “verbër”, nuk është diçka e keqe në vetvete. Dashuria bazohet shpesh tek idealizimi. Në fazat e hershme të rënies në dashuri, ju e vendosni partnerin tuaj në një piedestal, dhe imagjinoni se ai është personi më i përsosur në botë, të paktën për ju.

Edhe pas fazës së muajit të mjaltit të një marrëdhënieje, ne duam të mendojmë më të mirën për partnerët tanë. Ne i duam ata pavarësisht papërsosmërive të tyre, pasi besojmë se cilësitë e tyre të mira, janë shumë më të mëdha sesa cilësitë e tyre të këqija. Dhe ndoshta me kalimin e kohës, cilësitë e këqija të partnerëve tanë do të ndreqen ose do të zbehen, ndërsa partnerët tanë mësojnë që të përmbushin potencialin e tyre të plotë.

Pranimi i papërsosmërive të partnerëve tanë, i huqeve dhe veseve të tyre, duket se është një përbërës thelbësor i marrëdhënieve të suksesshme afatgjata. Një marrëdhënie nuk do të funksiononte aspak në rast se partneri trajtohet si një njeri që nuk do të jetë kurrë mjaftueshëm i mirë, pavarësisht se çfarë bën për t’ju bërë të lumtur.

Atëherë shtrohet pyetja se çfarë është mjaftueshëm e mirë në një marrëdhënie afatgjatë. A ka disa papërsosmëri, që nuk duhet t’i pranoni në një marrëdhënie afatgjatë, të cilat duhet të rregullohen sipas dëshirës tuaj, apo duhet të largoheni nga ai raport në vend se të përpiqeni t’i zgjidhni problemet?

Nevojat, lukset dhe gjërat që e prishin një marrëdhënie

Ekspertët e marrëdhënieve në çift kanë bërë dallimin midis nevojave, luksit dhe gjërave që e prishin një raport, kur bëhet fjalë për preferencat tona për të zgjedhur partnerin. Një domosdoshmëri mund të jetë një standard minimal i pamjes fizike të pëlqyeshme apo i kimisë seksuale.

Ndërkohë,luks mund të cilësohet nevoja apo kushti që partneri të jetë njeriu më seksi që keni takuar ndonjëherë. Ndërkohë një faktor që e saboton raportin,mund të jetë dikush me të cilin keni zero kimi seksuale. Ne mund të jemi shumë përzgjedhës,në rastin kur partneri ynë na ofron të gjitha nevojat thelbësore.

Por ne mund të mos e hapim gojën në rast se dashuria jonë na bën të “verbër” ndaj faktorëve që e shkatërrojnë një marrëdhënie. Dhe faktorët e tillë kryesorë janë tradhtia, abuzimi me alkoolin apo drogën, abuzimi fizik, emocional ose verbal dhe dështimi për të kontribuar në financat e familjes.

Këto janë arsye që përmenden me shpesh për divorcet ose për pakënaqësitë në një marrëdhënie martesore. Gjithsesi, shumë njerëz jetojnë me partnerë të tillë, pavarësisht nga pakënaqësia e tyre mbi këto sjellje.

Ata mbeten të verbër ndaj këtyre problemeve, i shohin por i minimizojnë ato, dhe mbeten me shpresë se sjellje të tilla do të ndryshojnë me kalimin e kohës nëse ata vazhdojnë të punojnë për to, dhe nëse bëjnë kërcënime të vazhdueshme për t’i dhënë fund marrëdhënies, duke shpresuar ta motivojnë partnerin e tyre për të pabindur që të ndryshojë mënyrën e sjelljes.

Kostoja e të jetuarit duke toleruar këta faktorë

Të jetuarit me partnerë të tillë, dhe të konsideruarit si normale sjelljen e tyre,mund të ketë një kosto të lartë emocionale. Ju nuk mund të ndiheni mjaftueshëm mirë me dikë që ju tradhton, që ju keqtrajton, që nuk ju mbështet financiarisht, apo që e do alkoolin dhe drogën më shumë se sa ju.

Kjo nuk është diçka aspak e mirë lidhur me respektin që duhet të keni ndaj vetes, në rast se kënaqeni me këtë lloj trajtimi ditë pas dite, pa ndonjë fund në horizont. Pastaj mund të filloni të vuani nga depresioni, sulmet e panikut dhe shpërthimet e zemërimit, që duket sikur burojnë pa asnjë lloj arsye. E pse dikush duhet t’i durojë këto gjëra, duke u përpjekur që t’i ndreqëapo normalizojë ato? E megjithatë shumë njerëz e bëjnë këtë.

Ne i durojmë këto gjëra, dhe kërkojmë justifikime për sjelljen e papranueshme të partnerëve tanë, vetëm sepse s’mund ta durojmë dot mendimin e dhënies fund të marrëdhënies. Ne kemi vendosur zemrën dhe shpirtin tonë në këtë marrëdhënie, dhe na thyhet zemra kur e pranojmë me trishtim se marrëdhënia mund të jetë një kauzë e humbur.

Prandaj nis mohimi i realitetit dhe ne përpiqemi heroikisht që ta shpëtojmë marrëdhënien, megjithëse mund të jetë tashmë një betejë e humbur. Ironikisht, sapo partnerët tanë me të meta shumë të mëdha,e kuptojnë se ne e kemi të pamundur të largohemi nga një marrëdhënie toksike, dhe se kërcënimet tona për t’u larguar janë thjesht një bllof, ata kuptojnë se mund ta ruajnë përgjithmonë këtë raport, pa pasur nevojë të ndryshojnë ndonjëherë sjelljen e tyre.

Vetëm kur partnerët tanë shohin se jemi duke u larguar vërtetë nga një marrëdhënie toksike,dhe po bëhemi më të pavarur prej tyre, mund të motivohen të ndryshojnë, gjithnjë nëse kjo është e mundur.

Zgjidhni respektin për veten, në vend të frikës nga humbja e partnerit

Ne e çlirojmë veten nga një marrëdhëniet toksike sapo arrijmë ta kapërcejmë frikën nga humbja. Sapo zgjedhim respektin për veten tonë mbi raportin që kemi me partnerët tanë me të meta të pariparueshme, ne bëhemi të aftë që të largohemi nga një marrëdhënie e keqe, pa e kthyer kokën pas dhe pa keqardhje.

Në një nivel të caktuar, është një lehtësim i madh të çlirohesh përfundimisht nga një marrëdhënie toksike. Më në fund jemi të lirë. Por kjo është gjithashtu edhe shumë e trishtueshme. Pasi marrin fund të gjitha ëndrrat që kishim për atë që mund të kishte qenë marrëdhënia jonë.

Ne duhet të heqim dorë nga ndjenja e dështimit, se nuk mund ta bënim funksionale një marrëdhënie toksike. Ne duhet të heqim dorë nga ndjenja se nuk meritonim të trajtoheshim më mirë se ajo që patëm. Ne duhet të bindim veten se jemi më mirë vetëm, dhe se meritojmë të bëjmë më mirë, dhe mund të bëjmë më mirë në të ardhmen.

Ne duhet të besojmë se do të zgjedhim më me zgjuarsi në të ardhmen. Të gjitha këto rregullime emocionale kërkojnë kohën e vet. Vajtimi mbi një marrëdhënie të dështuar nuk mund të përshpejtohet, por duhet të përballet me dhimbje.

Por ai është një test mbi qëndrueshmërinë, i cili nuk zgjat përgjithmonë. Dhe kur më në fund përfundon ajo fazë, dhe ju dilni në anën tjetër, jeni të lirë ta jetoni jetën tuaj me dinjitet dhe të qëndroni me dikë që ju trajton ashtu siç meritoni të trajtoheni.

Shënim: Lawrence Josephs, profesor i psikologjisë në Universitetin Adelfi, dhe psikoterapeutme banim në Nju Jork.