Lajme

Si u ngrit qendra tregtare “Emerald” te 5 Maji duke vjedhur familjen Myderizi?!

Gazetarja e njohur e ekonomisë ka bërë një shpjegim të hollësishëm për procedurat e privatizimit të shoqërisë “Buka” në Tiranë, pas një hetimi të ri të nisur nga Prokuroria e Posaçme ndaj ish-ministrit Arben Ahmetaj.

“Ëndrra” për privatizimin e shumicës së paketës të shoqërisë “Buka”, bashkë me pronat e saj, është tentuar të pengohet nga një familje që zotëronte 6155 m2 tokë në zonën e lagjes “5 Maji”. Ligji detyron që vlera e pronës të kthehet si përqindje në aksionet e kompanisë që ka vendosur fabrikën si kompensim për pronarët e truallit”, shkruan Xama.

Gazetarja tregon se pavarësisht akteve ligjore të cilat nuk u morën parasysh nga pala shtetërore, biznesmeni Lirim Fezollari bleu më 21 gusht 2015 45.97% të aksioneve shtetërore për 3.2 milion euro, mori në zotërim tokën, mori leje ndërtimi dhe ngriti qendrën tregtare “Emerald Mall”.

“Më 22 tetor 2015, Gjykata Administrative vendos shfuqizimin e urdhrit të ministrit Ahmetaj për privatizimin, vendim që është lënë në fuqi nga Apeli më 30 nëntor 2017. Në këtë kohë Ahmetaj ishte Ministër i Financave dhe Ekonomisë, por vendimin për anullimin e ankandit e merr 1 vit më vonë, më 8 nëntor 2018, 3 muaj pasi Bashkia Tiranë (8 gusht 2018) kishte dhënë lejen e ndërtimit”, shkruan gazetarja e ekonomisë.

Në Majt të vitit 2023, biznesmeni i “Tabacco Holding Group” njëherësh dhe përfituesi i ankandit për privatizimin e aksioneve shtetërore të “Buka Sh.a”, Lirim Fezollari është paraqitur në SPAK duke dhënë shpjegime për procedurën e përfitimit të ish-Fabrikës së Bukës në Tiranë.

Procedura e ankandit ka shkelur një seri vendimesh gjyqësore dhe aktesh zyrtare të shtetit shqiptar, duke përjashtuar pronarët e vërtetë – familjen Myderizi.

Këtë e thekson dhe gazetarja Ola Xama, e cila shpjegon se në fakt e gjithë loja nuk ishte mbrojtja e parave publike, por shkrirja e fabrikës shtetërore të bukës me qëllim zhvillimin e modelit ekonomik të betonit: kulla dhe qendra tregtare në favor të biznesmenit Lirim Fezollari.

Veprime që tregojnë për pasurinë e vjedhur të familjes Myderizi dhe ngritjen e qendrës tregtare “Emerald Mall” dhe kompleksit të banimit me të njëjtin emër, në zonën e “5Majit”.

“Për këtë SPAK ka hetuar, dhe sipas dosjes, administron mesazhe të komunikimeve që z.Ahmetaj kishte me Lirim Fezollarin, privatizuesin e aksioneve. Brendinë e mesazheve dhe nëse ato e inkriminojnë apo jo e vendos gjykata. Megjithatë, Arben Ahmetaj  për një gjë ka të drejtë: të mos hetohet vetëm ai, por dhe ata që kanë dhënë lejen në shkelje. Mbase nuk gjejnë gjë, por hetimet gjithëpërfshirëse i shërbejnë drejtësisë, llogaridhënies dhe transparencës”, përmbyll gazetarja.

Lëxoni shënimin e plotë të gazetares Ola Xama:

Si e kuptoj unë dosjen “Buka”

Së fundi kemi dëgjuar lajme mbi një hetim të ri që Prokuroria e Posaçme ka nisur ndaj ish-zv/Kryeministrit Arben Ahmetaj për rolin që ka patur në privatizimin e shoqërisë “Buka” në kohën që ishte ministër i Zhvillimit Ekonomik.

Nga ato faqe që kam lexuar në dosje, disa vendime gjykatash dhe reagimit që ka bërë ish-zv/Kryeministri Ahmetaj, kuptova se që nga viti 1996 kur u privatizuan 49% të kuotave të kompanisë “Buka” dhe deri në momentin që shteti mbajti vetëm 4.73% të aksioneve, zyrtarët e këtij vendi kanë patur si synim shitjen dhe asgjësimin e pasurive tona, pa parë asnjëherë interesin publik.

“Ëndrra” për privatizimin e shumicës së paketës të shoqërisë “Buka”, bashkë me pronat e saj, është tentuar të pengohet nga një familje që zotëronte 6155 m2 tokë në zonën e lagjes “5 Maji”. Ligji detyron që vlera e pronës të kthehet si përqindje në aksionet e kompanisë që ka vendosur fabrikën si kompensim për pronarët e truallit . Shteti në vitin 1996 i ndan 3.123% të aksioneve pronarëve dhe në vitin 2000 familja Myderizi nis një betejë ligjore për të kundërshtuar mënyrën e vlerësimit. Në vitin 2006 Gjykata e Apelit vendos t’i japë të drejtë dhe urdhëron institucionet përgjegjëse të bëjnë rivlerësimin.

Nga ky vit e deri në 30 janar 2014, kur Ahmetaj firmos urdhrin për privatizimin e aksioneve shtetërore, askush nuk lëviz dorën që të firmosë për rivlerësimin e pjesës takuese në shoqëri të familjes Myderizi me vlerë të drejtë, sipas urdhrit të formës së prerë të gjykatës.

Ahmetaj cakton ekspertë për vlerësimin e paketës shtetërore të aksioneve dy persona: Silvana Gjikdhima dhe Emil Nova, të cilët zmadhojnë në 4.73% vlerën e aksioneve për familjen Myderizi me çmimet e tokës të vitit 1995, 16 euro/m2. Në një akt vlerësimi të ekspertit të kontraktuar nga familja Myderizi, vlera e tokës aty vlerësohet 260 euro/m2 kundrejt një vlere totale 1.65 milion euro, nga 106 mijë që ishte vlerësuar nga ekspertët e kontraktuar nga ministri.

Duke qënë se familja Myderizi nuk ka pranuar vlerësimin e aksioneve dhe nuk ka qënë asnjëherë me vullnet themeluese e kompanisë “Buka”, pasi toka i është zaptuar e më pas kthyer, bëhet ky ushtrim: 1.65 milion euro pjesëtim 6.3 milion euro (që ishte vlera e rivlerësuar e totalit të kapitalit të kompanisë), shumëzim 100. Nga kjo rezulton se familjes Myderizi i takojnë 26.19% e aksioneve në kompani dhe jo 4.73%.

Vlerësimi bazohet në vendimin e Gjykatës së Apelit të vitit 2006, i mbështetur në vendimin e vitit 2001 të Gjykatës Kushtetuese që ka shfuqizuar VKM-në e vitit 1994 me të cilin kanë vlerësuar ekspertët e caktuar nga Ahmetaj. Në vitin 2003 Këshilli i Ministrave miratoi një vendim të ri, i cili detyron vlerësimin për pronat ish-pronarëve të zëna nga shoqëritë tregtare mbi çmimet që përcakton Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Ndryshimet u bënë në frymën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ku thuhej se dhe pse janë marrë si asete nga shteti, pronarët duhet të shpërblehen me një vlerë të drejtë.

Këto akte nuk u morën parasysh nga pala shtetërore dhe Lirim Fezollari bleu më 21 gusht 2015 45.97% të aksioneve shtetërore për 3.2 milion euro, mori në zotërim tokën, mori leje ndërtimi dhe ngriti qendrën tregtare “Emerald Mall”. Më 22 tetor 2015, Gjykata Administrative vendos shfuqizimin e urdhrit të ministrit Ahmetaj për privatizimin, vendim që është lënë në fuqi nga Apeli më 30 nëntor 2017. Në këtë kohë Ahmetaj ishte Ministër i Financave dhe Ekonomisë, por vendimin për anullimin e ankandit e merr 1 vit më vonë, më 8 nëntor 2018, 3 muaj pasi Bashkia Tiranë (8 gusht 2018) kishte dhënë lejen e ndërtimit.

Nga ky rast kuptojmë se të gjitha institucionet, si ato që kanë privatizuar dhe ndarë aksionet, si ato që nuk kanë zbatuar vendimet e gjykatave dhe kanë dhënë leje ndërtimi, janë në shkelje. Çështja nuk shtrohet nëse është mbrojtur interesi publik dhe sa para ka fituar shteti, sepse shteti në emër të fitimit nuk mund të grabisë pronat dhe të drejtat e askujt. Këtu në fakt e gjithë loja nuk ishte mbrojtja e parave publike, por shkrirja e fabrikës shtetërore të bukës me qëllim zhvillimin e modelit ekonomik të betonit: kulla dhe qendra tregtare!

Për këtë SPAK ka hetuar, dhe sipas dosjes, administron mesazhe të komunikimeve që z.Ahmetaj kishte me Lirim Fezollarin, privatizuesin e aksioneve. Brendinë e mesazheve dhe nëse ato e inkriminojnë apo jo e vendos gjykata. Megjithatë, Arben Ahmetaj për një gjë ka të drejtë: të mos hetohet vetëm ai, por dhe ata që kanë dhënë lejen në shkelje. Mbase nuk gjejnë gjë, por hetimet gjithëpërfshirëse i shërbejnë drejtësisë, llogaridhënies dhe transparencës!