Pas afro 30 vitesh, një prej çështjeve më të bujshme të historisë së hip-hopit mori një vendim gjyqësor. Duane “Keffe D” Davis, ish-drejtues i bandës South Side Compton Crips, u shpall fajtor për vrasjen e reperit amerikan Tupac Shakur.
Juria në Las Vegas e shpalli 63-vjeçarin fajtor për akuzën e vrasjes me armë vdekjeprurëse, lidhur me atentatin ndaj Tupac më 7 shtator 1996.
Sipas prokurorisë, Davis nuk ishte personi që qëlloi drejtpërdrejt mbi reperin, por organizoi sulmin dhe siguroi armën e përdorur në atentat. Prokurorët argumentuan se arma iu dha nipit të tij, Orlando Anderson, i cili dyshohet se hapi zjarr nga një automjet në lëvizje.
Hetuesit e kanë lidhur ngjarjen me një përleshje që kishte ndodhur vetëm disa orë më parë në Las Vegas, ku Anderson ishte konfliktuar me Tupac Shakur dhe pjesëtarë të grupit të tij. Sipas prokurorisë, kjo përplasje shërbeu si shkak për hakmarrjen që çoi në sulmin fatal.
Mbrëmjen e 7 shtatorit 1996, Tupac po udhëtonte me makinë në Las Vegas kur një automjet u afrua pranë tij dhe u qëlluan disa herë. Reperi u dërgua në spital, por ndërroi jetë më 13 shtator, në moshën 25-vjeçare.
Gjatë viteve, mungesa e një të pandehuri dhe e një vendimi gjyqësor e shndërroi vrasjen në një prej mistereve më të mëdha të muzikës amerikane. Çështja u shoqërua me teori të shumta konspirative dhe spekulime për autorët dhe motivet e atentatit.
Një pjesë e rëndësishme e provave kundër Davis ishin deklaratat e tij të bëra ndër vite. Ai kishte folur publikisht për ngjarjen, kishte pranuar se ndodhej në Cadillac-un e bardhë nga ku u kryen të shtënat dhe kishte dhënë detaje të tjera në intervista.
Davis kishte folur gjithashtu për përfshirjen e tij gjatë një interviste sekrete me policinë në vitin 2008. Në vitin 2019, ai publikoi edhe librin “Compton Street Legend”, ku përshkroi pjesë të historisë së tij dhe të ngjarjeve të asaj periudhe.
Mbrojtja, megjithatë, argumentoi se deklaratat e Davis nuk mund të konsideroheshin prova të besueshme. Avokatët pretenduan se ai kishte ekzagjeruar ose sajuar histori ndër vite për përfitime financiare dhe për të rritur famën e tij.
Pas shpalljes fajtor, Davis deklaroi se do ta apelojë vendimin. Ndërkohë, familjarët e Tupac reaguan me emocione në sallën e gjyqit, duke u përqafuar dhe përlotur pas leximit të vendimit.
Por kush ishte legjenda e muzikës Hip Pop që përkujtohet në breza?
Tupac Shakur mbetet një prej figurave më të rëndësishme të historisë së hip-hopit. Ai u vra në kulmin e karrierës së tij dhe ka shitur më shumë se 75 milionë albume në mbarë botën.
Reperi, i njohur për hitet “California Love” dhe “All Eyez on Me”, ishte pjesë e labelit Death Row Records, ndërsa rivaliteti përfshinte edhe Bad Boy Records dhe emra të tjerë të njohur të muzikës amerikane.
Që kur ishte adoleshent, Tupac e ka njohur jetën e rrugës, të cilën më vonë do ta sillte në vargjet e tij. I pajisur me një prirje të fortë artistike që nga ditët e shkollës, ai ra në sy falë pasionit të tij për teatrin dhe aktrimin, për poezitë e tij, eksperimentet e para që do të bëheshin më vonë tekstet e këngëve të tij.
Reperi revolucionar Tupac, njihet për hitet e shumta që ka sjellë ndër vite, madje me këngët e tij ai arriti të vetdijësoj popullin amerikan, në kërkimin e të drejtave të tyre, sidomos për komunitetin e njerëzve me ngjyrë. Këngët e tij mbesin të veçanta për amerikanët dhe vazhdojnë të jenë tejet të dëgjuara e aktuale edhe ditëve të sotme.
Yje të tjerë të Hip Popit si , Dr. Dre dhe Snoop Dogg u përkujdesën që në festivalin Coachella, reperi të ringjallej në skenë në formë të hologramit, një ngjarje kjo epike që ka rikthyer në kohë adhuruesit e legjendës i cili performoi këngët “Americas Most Ëanted” dhe “Hail Mary”
Edhe 17 vjet pas vdekjes së tij, 2Pac konsiderohet si një prej emrave që ka më së shumti ndikim në muzikën e hip hopit të ditëve të sotme. Ai konsiderohet i pavdekshëm, pasi është shpesh pjesë e teksteve dhe këngëve në kujtim të tij.
