Janë zbardhur detaje të reja nga ngjarja e rëndë ku u plagos kryebashkiakja gjermane, Iris Stalzer, e cila u sulmua brutalisht nga vajza e saj e adoptuar. Mediat gjermane raportojnë se 17-vjeçarja e goditi 13 herë me thikë në bodrumin e shtëpisë, më pas i vuri flakën dhe u largua nga vendngjarja. Vetëm një ditë para sulmit, Stalzer kishte njoftuar policinë, duke u shprehur se ndjente se jeta e saj ishte në rrezik.
Hetuesit dyshojnë se motivi i sulmit mund të ketë qenë hakmarrja. Vajza adoleshente, sipas burimeve, ishte ndjerë e përjashtuar dhe xheloze ndaj vëllait të saj 15-vjeçar, gjithashtu i adoptuar, për shkak të kujdesit dhe dashurisë që nëna i tregonte atij.
Gjatë verës, Stalzer kishte paralajmëruar shërbimet sociale për përkeqësimin e marrëdhënies me vajzën, duke përshkruar një klimë tensioni të vazhdueshëm. Megjithëse sulmi ishte tepër i dhunshëm dhe 57-vjeçarja mbeti rëndë e plagosur, prokuroria po e trajton rastin jo si tentativë vrasjeje, por si “dëmtim të rëndë me dashje”.
/tiranapost