Lajme

Sindikata e MKRS-së proteston në heshtje, zbulohet arsyeja

Sindikata e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), të enjten ka protestuar në heshtje kundër dhunës në institucione. Ata kanë mbajtur maska në fytyrë e pankarta me mesazhe të ndryshme.

Protesta e tyre u mbajt një ditë pas raportimit të një sulmi fizik nga zëvendësues-sekretari i kësaj ministrie, Xheladin Krasniqi, ndaj zyrtarit të MKRS-së, Miftar Latifi.

Protestuesit janë mbledhur para objektit të MKRS-së duke mbajtur maska në fytyrë dhe pankarta në duar me mbishkrimet “sot e mbaj maskën sepse punoj në ambient toksik”, “As nuk kam liri për t’u shprehur lirshëm”, “S’muj me fol se të gjuhen në qafë mandej”.

Në lidhje me këtë incident dje foli edhe ministri Hajrulla Çeku, i cili ka thënë se janë duke marrë informata në lidhje me këtë rast dhe më pas do të ndërmarrin masat e nevojshme.

“Të gjitha faktet janë duke vlerësuar sepse duam që të sigurohem që nuk do ta diskriminojmë askënd. Edhe policia është duke u marr me rastin, po e presim edhe raportin e policisë, po ndërmarrim edhe veprimet tona. Në momentin që i kemi të gjitha faktet do të ndërmarrim veprimet e nevojshme sipas ligjit dhe procedurës.

Dhuna ose çfarë do veprimi që eskalon në ballafaqim fizik janë të papranueshme, të dënueshme dhe këtë parim do ta mbrojmë deri në fund në këtë rast”, ka thënë Çeku në konferencë për shtyp.