Pavarësia e Kosovës, e shpallur më 17 shkurt 2008, është njohur nga shumica e vendeve demokratike të botës, megjithëse procesi i njohjeve ndërkombëtare vazhdon ende në disa shtete të Bashkimit Evropian, përfshirë Greqinë.
Lidhur me këtë, Këshilli për Marrëdhënie Shqiptaro-Amerikane (AARC) ka ndërmarrë një nismë duke u takuar me kongresisten amerikane me prejardhje greke, Nicole Malliotakis.
Sipas njoftimit të presidentit të AARC-së, Martin Vulaj, një nga temat kryesore të bisedës ka qenë inkurajimi i afrimit më të madh mes Athinës dhe Prishtinës, i cili në perspektivë mund të hapë rrugën drejt njohjes zyrtare të Kosovës nga Greqia.
“Një nga temat kryesore të diskutimit ishte forcimi i marrëdhënieve mes Greqisë dhe Kosovës dhe inkurajimi i bashkëpunimit më të ngushtë që në të ardhmen mund të çojë drejt njohjes zyrtare të Kosovës nga Greqia”, thuhet në komunikatën e AARC-së.
Në të njëjtin njoftim theksohet edhe dimensioni i mbështetjes së gjerë pro-amerikane në rajon, duke veçuar Kosovën si një nga shoqëritë më pro-SHBA në botë, si dhe Shqipërinë dhe komunitetet shqiptare në Maqedoninë e Veriut e Mal të Zi, të cilat sipas AARC-së kanë dëshmuar vazhdimisht përkushtim ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleancës transatlantike.
“Ne theksuam se Kosova mbetet një nga shoqëritë më pro-amerikane në botë, ndërsa Shqipëria dhe komunitetet shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi kanë dëshmuar vazhdimisht mbështetje të fortë për Shtetet e Bashkuara dhe aleancën transatlantike”, thuhet më tej në deklaratë.
Ndryshe, delegacioni i AARC-së në këtë takim është përbërë nga kryetari Eli Rusi, nënkryetari Tony Marke, sekretari Burim Rexhaj, si dhe anëtarët e bordit Agim Jusufi dhe Vehbi Bajrami.
Ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë se përpjekjet e lobimit për njohjen e Kosovës nga Greqia përbëjnë një zhvillim me peshë të veçantë në procesin e konsolidimit të shtetësisë dhe avancimit diplomatik të Kosovës.
Sipas tyre, një njohje eventuale nga Greqia do të përfaqësonte një hap të rëndësishëm për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe mund të ndikonte në dinamizimin e procesit të njohjeve edhe nga shtetet e tjera të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur.
ata vlerësojnë edhe rolin e lobit shqiptaro-amerikan në SHBA, duke e cilësuar atë si faktor me ndikim të vazhdueshëm në çështjen e Kosovës, si në të kaluarën ashtu edhe në zhvillimet aktuale
Arifi: Njohja e Greqisë do të zhbllokonte procesin e njohjeve në BE
Ish-diplomati, Avni Arifi në një prononcim për “Bota sot” ka shprehur mirënjohje për punën që po bën AARC, duke e cilësuar atë si të rëndësishme për avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
“Jashtëzakonisht mirënjohës për punën e madhe që po bën AARC. Njohja e Greqisë do të ishte një hap tepër i madh në kompletimin e shtetësisë së Kosovës dhe një shtytje shtesë për debllokimin e procesit të njohjeve nga pesë vendet e BE-së”, ka vlerësuar ai.

Ish-diplomati, Avni Arifi
Gjithashtu, Arifi ka theksuar rëndësinë e Greqisë si aktor rajonal, duke nënvizuar se kontaktet e tilla kanë peshë politike.
“Greqia është një vend i rëndësishëm dhe kontaktet e tilla nga AARC dhe njohja potenciale, pavarësisht se po bëjnë punën që Qeveria e Kosovës do të duhej ta bënte, i nderon ata dhe nderon kombin”, ka thënë Arifi për “Bota sot”.
Lama: Greqia do të veprojë sipas interesave të saj në rajon
Ndërkaq, edhe ish-diplomatja Alma Lama ka vlerësuar rolin e lobit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara, duke e konsideruar atë si faktor të rëndësishëm historik dhe aktual.
“Mendoj se lobi shqiptaro-amerikan ka luajtur rol të rëndësishëm në SHBA si në të shkuarën edhe tani. Lobimi për njohjen e Kosovës nga Greqia në Kongres është lajm i mirë, por me siguri shteti grek do të vendosë sipas interesave në rajon”, është shprehur ajo për “Bota sot”.

Ish-diplomatja Alma Lama
Ajo ka shtuar se ndikimi amerikan mbetet faktor kyç në zhvillimet diplomatike.
“Natyrisht, SHBA ka mundësi të ndikojë që Greqia të lëvizë pozicionin e saj aktual diplomatik ndaj Kosovës”, ka thënë Lama për “Bota sot”.
