Deputeti demokrat, Bledion Nallbati, ka lënë ambientet e SPAK ku dhe u thirr për tu marrë në pyetje lidhur me ngjarjen e ndodhur më 30 tetor, në Parlament, ku gjatë seancës plenare goditi socialistin Vullnet Sinaj.
Në një deklaratë për mediat Nallbati tha se nuk e ka goditur Sinajn, por thjesht janë shtyrë me njëri tjetrin. Ndër të tjera ai tha se në Parlament ndodhin gjëra më të turpshme se këto, si përshembull vjedhjet që sipas tij qeveria u bën çdo ditë qytetarëve shqiptarë.
“S’kam goditur njeri, më ka tërhequr, e kam tërhequr. Të tilla veprime nuk nderojnë askënd.
Në atë parlament ndodhin gjëra shumë më të turpshme se sa aq, si vjedhja masive që po u bëhet qytetarëve çdo ditë. Në projektbuxhet qindra miliona euro po shkojnë prapë për PPP-të, kjo duhet t’ju shqetësojë ju. Nuk patëm tensionim jashtë Parlamentit me Vullnet Sinën”, tha Nallbati.
Kujtojmë se gjatë seancës plenare të 30 tetorit, deputetët demokratë krijuan një shfaqje të turpshme në Kuvend, ku nuk munguan as përplasjet fizike. Ka qenë Bledion Nallbati i cili goditi deputetin socialist, Vullnet Sinaj. Pavarësisht që Sinaj tha se nuk do të denonconte Nallbatin dhe se e kishte falur, grupi i socialistëve depozituan në SPAK kallëzimin ndaj deputetit demokrat.
Ishte kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, ai i cili njoftoi se firmosi në emër të socialistëve kallëzimin penal për deputetin Bledjon Nallbati për dhunën fizike të ushtruar në seancën e fundit ndaj deputetit Vullnet Sina.