Janë publikuar detaje të reja nga kërkesat e Arlinda Zekajt drejtuar institucioneve të Kosovës para se të vritej nga kunati i saj.
Një audio-incizim i publikuar së fundmi ka të bëjë me një bisedë të zhvilluar mes Arlinda Zekajt dhe togerit të Policisë së Pejës, Faruk Muqollit.
“Unë jam e interesuar, kur e pash djalin që është shkatërruar shëndeti mendor i djalit tim, s’keni vepru kurrgjë”, i drejtohet 49-vjecarja togerit të policisë, derisa i njëjti thotë se nuk është i obliguar të “merret me të”.
“Nuk din? Sa herë më thirr inspektorati unë i them le të paraqet ankesë me shkrim. Të kam thënë edhe atë ditë unë s’jam i obligum me u marrë me ty se kam obligime, sa herë po vjen po e kërkon Farukin, po të del Faruki. Nuk jam i obligum, bindu se nuk jam”, dëgjohet t’i thotë Muqolli, Arlinda Zekajt.
“Faruk unë jam lodhë, duhet zbatuar aktvendimi, kaq shumë e thjeshtë është”, i përgjigjet Zekaj, ndërsa togeri Faruk Muqolli i përgjigjet se “edhe ata janë lodhur”.
“Edhe na jemi lodh. Bindu qe edhe na jemi lodh. Unë konsideroj që na jem në rregull”, thotë polici Muqolli.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor nga kunati i saj, Albert Sylaj, vetëm dhjetë minuta pasi ajo u kthye nga policia pas denoncimit të ish-bashkëshortit për dhunë në familje./Top Channel
