LifeStyle

Skepticizmi: Pse të menduarit kritik ju bën më të zgjuar

Nga Jonny Tomson

Një nga pyetjet më të rëndësishme që mund t’i bëjë dikush vetes është: “A mund ta kem gabim?”. Kjo nuk është një pyetje e lehtë. Sepse kërkon të ndaleni dhe ta shihni veten sa më objektivisht që të mundeni. Filozofi francez Rene Dekart shkroi dikur: “Për të kërkuar të vërtetën, është e nevojshme që të paktën një herë në jetën tonë të dyshojmë, sa më shumë që të jetë e mundur, për të gjitha gjërat”.

Ndonjëherë, duhet të dyshoni tek vetja tuaj dhe të angazhoni aftësitë tuaja kritike. “Big Think” ka intervistuar disa nga mendimtarët më interesantë në botë duke i pyetur se si skepticizmi dhe mendimi kritik mund ta bëjnë më të zgjuar njeriun.

Lorenc Kraus: Koherentisti

Pikërisht në këtë moment, në mendjen tuaj ekziston një rrjetë e ngushtë besimesh. Është si një bashkim i disa pjesëve të një figure. Të gjitha pjesët bashkohen për të formuar një lloj tabloje, botëkuptimin tuaj. Ky bashkim pjesësh do të jetë unik për ju, dhe pjesët do të jenë besimet individuale që mbani.

Por ky bashkim nuk është i plotë, dhe bota po ju hedh vazhdimisht pjesë të reja pra besime të reja. Shtrohet pyetja:vA përshtatet kjo pjesë e re në mozaik? “Nëse jo, atëherë ndoshta ka një arsye të mirë për të qenë skeptik në lidhje me të. Se ndoshta ajo është e gabuar”- thotë fizikani Lorenc Kraus.

Koherentizmi në filozofi, është ideja se ne jemi të justifikuar të besojmë gjërat nëse ato lidhen me besimet tona të tjera. Ai thotë se nëse disa informacione të reja përputhen me botëkuptimin tonë apo peshën dërrmuese të besimeve tona të mëparshme, atëherë është normale që ne t’i besojmë ato.

Çdo gjë që duket e dobët duhet të sfidohet. Ajo që thotë Kraus tingëllon shumë si koherentizëm. Por kjo s’do të thotë që ne duhet të refuzojmë çdo gjë që nuk pajtohet me bindjet tona. Në fakt, të bësh një gjë të tillë tingëllon më shumë si fanatizëm. Ndonjëherë, duhet të krijoni hapësirë për besime të reja, të cilat mund të kërkojnë punën e pakëndshme të modifikimit të botëkuptimit tuaj.

Majkëll Shermer: Falsifikuesi

Shermer vëzhgon nga afër mekanizmat që qëndrojnë pas lajmeve të rreme, teorive konspirative dhe dhomave të jehonës. Në një botë të tillë, është e lehtë të jesh fajtor për paragjykimin e konfirmimit, dukuri që ndodh sa herë që u japim një përparësi të pamerituar argumenteve që përputhen me atë që ne tashmë besojmë.

Ndonjëherë kjo është diçka pozitive. Por nga ana tjetër, duhet të kemi kujdes që të mos jemi tërësisht kundërshtues ndaj argumenteve alternative. Siç argumentuan dikur skeptikët e lashtë grekë, çdo argument ka kundërshtarin e saj. Çdo tezë e ka një antitezë.

Për Shermer (dhe për skeptikët si Sekstus Empirikus), ne duhet të gjurmojmë dhe të shijojmë sfidat ndaj besimeve tona. Siç thotë Shermer “Mënyra e vetme për të zbuluar nëse po e gënjeni apo jo veten… është të dëgjoni njerëzit e tjerë që nuk bien dakord me ju”.

Megjithatë, ndonjëherë njerëzit kanë besime që nuk lejojnë asnjë alternativë të mundshme. Ata besojnë gjëra që nuk mund të falsifikohen me asnjë provë. Dhe besimet e pafalsifikueshme janë fundi i debatit racional. Njerëzit që nuk do të përballen asnjëherë me një mendim të kundërt apo do të njohin një pozicion rival, nuk u intereson e vërteta.

Ata kujdesen vetëm për të pasur të drejtë. Biseda me këta njerëz do të jetë gjithmonë e tipit “mendimi im kundrejt mendimit tuaj” thotë Shermer, dhe “ne i bërtasim njëri-tjetrit”. Shermer sugjeron që të kuptoni se shumica e besimeve tuaja do të kenë kritikët e tyre. Gati të gjitha besimet tuaja mund të falsifikohen. Pra mos u distanconi nga rivalët tuaj, por njihni legjitimitetin e tyre dhe pranojini ata.

Bill Nie: Gradualisti

Si filozofët ashtu edhe shkencëtarët, mund të jenë fajtorë për shitjen e tepërt të fuqisë së argumenteve të tyre. Mendohet se nëse i tregon dikujt një përfundim logjik, apo e prezanton me informacione të pamohueshme, ai do të kapitullojë aty për aty, dhe më pas dhe do t’ju përgëzojë për intelektin tuaj.

Por siç e pranoi Aristoteli mbi 2000 vjet më parë, njerëzit binden vetëm pjesërisht (dhe shpesh në mënyrë të dobët) nga argumentet racionale. Logot, fuqia e argumentit, mund të ndikojë mbi opinionet e tyre. Por po kështu do të jetë edhe etosi (reputacioni dhe pesha e folësit) dhe patosi (rezonanca emocionale e argumentit).

Për Bill Nie, nëse dikush ka një botëkuptim që nuk është në përputhje me provat “edhe unë mund të kem një të tillë, ndaj do t’ju duhet pak kohë që ta ndryshoni”. Besimet tona nuk janë si ngjitëset që mund ta vendosen mbi duart tona. Ato janë të rrënjosura thellë dhe luajnë një rol qendror për gjithçka që bëjmë.

Dhe ashtu si rrënjët e thella, ju nuk mund t’i shkulni aq lehtë. Pasi ju duhet të gërmoni për të mbërritur tek ato. Nie thotë: “Njerëzve u duhen disa vite për të ndryshuar mendje. Pra, rekomandimi im për cilindo që përpiqet të paraqesë prova është t’u përmbahet atyre”.

Derren Braun: Pragmatisti

Iluzionisti Derren Braun thotë se ne kemi nevojë për skepticizëm ndaj vetë skepticizmit. Besimet dhe botëkuptimet tona diktojnë jetën dhe përcaktojnë identitetin tonë. Prandaj, sfidimi i këtyre besimeve kërkon një qasje të kujdesshme. Kundërshtimi për hir të kundërshtimit mund të jetë një qasje naive, pasi besimet nuk ndryshojnë lehtë.

Por kjo qasje është potencialisht e dëmshme nëse njerëzit janë shumë agresivë. Siç e thekson Braun, edhe nëse dikush “përfundon me një gjë që është e lehtë t’u dëmtojë, ai mund të harrojë faktin se ka diçka në zemër të saj, e cila ndoshta është e dobishme”.

“Ndoshta narrativat rreth fesë janë të dobishme për ne në aspektin psikologjik”- nënvizon ai. Besimet fetare dhe etike të njerëzve nuk janë shumë sipërfaqësore. Ato kanë shumë rëndësi  në jetën e njeriut. Nëse dikush i drejtohet një psikologu sepse është i pikëlluar, ose përdor fallxhorët sepse ka frikë nga vdekja, atëherë është mizore dhe e rrezikshme të heqësh dorë nga këto mekanizma ndihmës.

Ju mund të argumentoni se këto të fundit janë të pashëndetshme apo se disa besime janë qesharake. Por ndonjëherë nuk ju takon juve të vendosni. Për Braun, ne duhet të pyesim pse dikush beson një gjë përpara se të synojmë që të hedhim poshtë atë. / “Big Think” – Bota.al