Lajme

Sokol Mjacaj s’pranon të izolohet në ’41 biss’,gazetarja tregon pse po shtyhet seanca

Vendimi për Sokol Mjacajn, të dënuarin me burgim të përjetshëm ende nuk është dhënë pasi i burgosuri nuk pranon të izolohet në “41 biss”.

I dënuari me burgim të përjetshëm, ankimoi në apel në Gjykatën e Posaçme vendimin për kalimin në regjimin e posaçëm “41 biss” vetëm një muaj pasi vrau të burgosurin tjetër, Arben Lleshi në burgun e Peqinit. E njëjta ditë që ministri i Drejtësisë firmosi kalimin e Mjacaj në izolim të rreptë për shkak të veprimtarisë së të dënuarit brenda burgut.

Detaje mbi këtë ngjarje dhe shtyrjen e seancës ka zbuluar gazetarja Anila Hoxha në Top News. Hoxha tha se seanca e cila ishte planifikuar të mbahej me dyer të mbyllura, ku do të shqyrtohej kërkesa e tij për të mos vuajtur dënimin në regjimin e posaçëm ‘41 Bis’, aty ku u izolua menjëherë pas krimit të rëndë.

Sipas gazetares Anila Hoxha, Mjacaj pretendon se nuk duhet që të vuaj dënimin në këtë strukturë, pasi nuk i përket një grupi të strukturuar kriminal. Por kujtojmë se në ditën kur ai kreu vrasjen, ishte urdhëruar që të kalonte pikërisht në ’41 bis’, një urdhër i dhënë nga ministri Ulsi Manja, pasi ai konsiderohej person me rrezikshmëri të lartë dhe se kishte komunikim me persona jashtë mureve të qelisë.

“Vrasja e Lleshit dyshohet se është një vrasje me pagesë. Bëhet me dije se Mjacaj pas këtij krimi kaloi në ‘41 biss’ dhe u vendos një tjetër dënim për të, që do duhet të zbardhet tashmë se kush janë personat që e kanë urdhëruar ekzekutimin. Çështja është shtyrë për shkak se mungonte avokati i tij mbrojtës”, – tha Hoxha.

Vrasja e Arben Lleshit dyshohet se ka qenë e porositur nga jashtë burgut dhe u krye para se Sokol Mjacaj të futej në regjim të posaçëm.

Më poshtë dinamika e vrasjes në burgun e Peqinit sipas Prokurorisë së Elbasanit

Në datë 15.12.2023 rreth orës 13:52 në ambientet e regjimit të brendshëm të IEVP Peqin, shtetasi (i dënuar me burgim përjetshëm, i caktuar me vendim gjykate siguri e lartë) Sokol Mjaca me armë zjarri pistoletë ka gjuajtur në drejtim të shtetasit (të dënuar) Arben Lleshi dhe Indrit Shaqja, duke lënë të vdekur në vend viktimën Arben Lleshi dhe plagosur viktimën Indrit Shaqja.

Më pas ky shtetas ka kanosur me armë zjarri në dorë punonjësit e shërbimit si dhe më pas është izoluar me armë në dorë në ambientet e takimeve me familjarët në këtë burg.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruara një armë zjarri, 5 gëzhoja, si dhe dy predha të dëmtuara. Prej ditës së djeshme, është artikuluar në media se i riu nga Dukagjini mund të jetë paguar nga persona të tjerë për të ekzekutuar brenda në burg Arben Lleshin.

Kjo përforcohet dhe nga fakti se dje para ngjarjes, ministri Manja ka deklaruar se kishte firmosur urdhrin për transferimin e autorit në regjimin special “41 BIS”.

Pavarësisht se u tha se pistoleta që Sokol Mjacaj kishte në qeli mund të ishte futur atje me dron, dyshohet se arma ka kaluar dorazi dhe e plotë. Pra, arma ka kaluar rregullisht sikur të ishte mjet i lejuar në një burg të sigurisë së lartë dhe e pa copëzuar.

Ngjarja e rëndë ka nxjerr në pah dhe një problematikë tjetër në këtë burg. Një pjesë e kamerave të sigurisë dhe e skanerit nuk punonin prej kohësh. Kjo ka krijuar hapësira, ndoshta, dhe për të dënuarit e tjerë për të futur sende të palejuara në qelitë e tyre.

Sokol Mjacaj ka deklaruar në dëshminë e tij para kryeprokurorit të Elbasanit se vrasjen e Lleshit e kishte kryer pasi ai nuk e kishte pranuar në sektor.

“Jemi konfliktuar aty për aty me Arben Lleshin. Nuk më pranoi në sektor. Armën e kam futur para 20 ditësh apo një muaj”, është shprehur autori i të shtënave në Burgun e Peqinit. Megjithatë, ky mbetet vetëm një pretendim i Sokol Mjacaj, pasi grupi hetimor ka dyshime mbi vërtetësinë.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo