Lajme

Sot mbahet gjykimi në mungesë ndaj 53 të akuzuarve për Masakrën e Mejës

Sot mbahet gjykimi në mungesë ndaj 53 personave të akuzuar për Masakrën e Mejës, një nga masakrat më të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur në dhjetor të vitit 2023 aktakuzë në mungesë ndaj 53 të akuzuarve, ndërsa aktakuza është ndryshuar më 23 dhjetor 2024. Të gjithë të pandehurit aktualisht gjenden në arrati.

Gjykata e Apelit, me vendimin e 25 majit 2026, e kishte kthyer në rivendosje vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, përmes të cilit ishte konfirmuar aktakuza e Prokurorisë Speciale.

Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohet se gjatë viteve 1998-1999, në fshatrat e Komunës së Gjakovës, kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen, duke vepruar në bashkëkryerje dhe si pjesë e një strukture të përbashkët kriminale.

Në mesin e të akuzuarve janë zyrtarë dhe pjesëtarë të strukturave të atëhershme ushtarake, policore dhe të sigurisë së Serbisë, përfshirë Momir Stojanoviqin, Sreten Çamoviqin, Nikolla Miqunoviqin, Millovan Kovaçeviqin, Sergej Peroviqin, Verolub Zhivkoviqin, Millan Koturin, Radomir Çoliqin, Dragutin Josifoviqin, Franko Simatoviqin, Momçillo Stanojeviqin, Vllatko Vukoviqin dhe Ilija Todorovin.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë pasur role të ndryshme në strukturat komanduese dhe operative të ushtrisë, policisë dhe shërbimeve të sigurisë serbe gjatë luftës në Kosovë.

Gjykimi i sotëm zhvillohet në mungesë, pasi të gjithë të akuzuarit gjenden në arrati.

Të Ngjashme