Sot, më 30 maj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mbyll afatin për aplikim online për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave që do të vëzhgojnë zgjedhjet e 7 qershorit, si dhe aktivitetet pas ditës së zgjedhjeve.
Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka treguar se kush mund të aplikojë për t’u akredituar si vëzhgues.
“Deri në përfundim të ditës së sotme, e shtunë, 30 maj 2026, subjektet politike të certifikuara, OJQ-të, organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare të specializuara të cilat merren me zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mediat si dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja, mund të dorëzojnë online kërkesën e tyre për akreditimin e vëzhguesve”, njoftoi Elezi.
Elezi shtoi se edhe në këto zgjedhje KQZ ka paraparë një program të veçantë për vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve, që përfaqësojnë institucione dhe organizata të specializuara në fushën e zgjedhjeve.
“Programi për vëzhguesit ndërkombëtarë ka për qëllim të prezantojë sistemin zgjedhor të Republikës së Kosovës, kornizën ligjore dhe administrimin e zgjedhjeve. Vëzhguesit ndërkombëtarë, të cilët përfaqësojnë institucione që merren me organizimin e zgjedhjeve në vendet e tyre dhe organizata të specializuara në fushën e zgjedhjeve, do të kenë mundësi që të përcjellin nga afër aktivitete të ndryshme, duke filluar shpërndarjen e materialeve zgjedhore, hapjen e vendvotimeve dhe votimin në komuna të ndryshme dhe procesin e numërimit të fletëvotimeve”, tha Elezi./teve1.info/
