Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kanë arrestuar administratorin e iniceneratorit të Elbasanit, shtetasin L.K., i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259, paragrafi 2, i Kodit Penal.
Sipas njoftimit të SPAK, Ndalimi i tij u bë në kuadër të procedimit penal të regjistruar më 1 tetor nga SPAK mbi bazën e referimit të BKH-së.
SPAK shpjegon më tej se nga veprimet hetimore të kryera deri në këtë fazë, dyshohet se shtetasi L.K. i ka kërkuar dhe marrë administratorit të një operatori ekonomik shumën prej 400.000 (katërqind mijë) lekësh si përfitim të paligjshëm.
Gjatë kontrollit personal të ushtruar ndaj shtetasit L.K., agjentët e BKH-së i gjetën dhe i sekuestruan në cilësinë e provës materiale të gjithë shumën prej 400 mijë lekësh.
Prokuroria e Posaçme bën me dije se hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë aferë.
Njoftimi i SPAK:
Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), nën drejtimin e prokurorit të çështjes, sot, më 5.10.2026 arrestuan në flagrancë shtetasin L.K., administrator i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259, paragrafi 2, i Kodit Penal.
Arrestimi u krye në kuadër të procedimit penal nr. 108 të vitit 2026, të regjistruar më datë 1.10.2026 nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e referimit të BKH-së. Gjatë hetimit u përdorën metoda speciale të hetimit dhe veprime të simuluara.
Nga veprimet hetimore të kryera deri në këtë fazë, dyshohet se shtetasi L.K. ka kërkuar dhe marrë nga administratori i një operatori ekonomik shumën prej 400.000 (katërqind mijë) lekësh, në formën e përfitimit të paligjshëm, në këmbim të moskryerjes së detyrave që i ngarkon ligji si administrator i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a.
Gjatë kontrollit personal, shtetasit L.K. iu gjet dhe iu sekuestrua shuma e sipërpërmendur.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
