Lajme

Si ra në kurth drejtori i inceneratorit të Elbasanit? BKH i dërgoi 4 milionë lekë me agjentin e infiltruar

Administratori i inceneratorit të Elbasanit (ECO-ELB), Leli Kaja, është vënë sot në prangat e policisë, pas një operacioni me urdhër të SPAK dhe të ndjekur edhe nga agjentët e BKH.

Përmes një njoftimi, SPAK bën të ditur se Leli Kaja u prangos në flagrancë, pas dyshimeve për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Shekulli mëson se i infiltruari i BKH-së i ka dhënë dhumën prej 4 milionë lekësh të vjetër Kajës, i cili i kërkoi këto në formën e një përfitimi të paligjshëm, në këmbim të moskryerjes së detyrave që i ngarkon ligji si administrator i shoqërisë “ECO-ELB”sh.a. Gjatë kontrolleve, Leli Kajës iu gjet dhe iu sekuestrua shuma e sipërpërmendur e parave.

“ECO-ELB” është në pronësi të 7 bashkive të qarkut të Elbasanit. Leli u emërua administrator në 20 tetor të vitit 2022 dhe u rikonfirmua në detyrë në 3 nëntor të vitit 2025, për një tjetër mandat 3-vjeçar.

Procedimi penal, i nisur në vitin 2024, ka pasur në qendër marrëdhëniet administrative dhe financiare të kompanisë “ECO-ELB” me tetë bashkitë e qarkut Elbasan. Në kuadër të veprimeve hetimore, prokurorët kanë marrë deklarime nga 43 persona, ndërsa janë verifikuar edhe rolet e disa funksionarëve vendorë, mes tyre zëvendëskryetarë bashkish, drejtues të sektorëve juridikë dhe përgjegjës të financave.

Dyshimet e ngritura gjatë verifikimeve kanë të bëjnë me mundësinë që në raste të caktuara shërbimet të jenë kryer në mënyrë të pjesshme, vetëm për një periudhë të caktuar ose të mos jenë realizuar, ndërkohë që pagesat nga fondet publike janë kryer.

Në qershor të vitit 2025, të dhënat e bëra publike nga hetimi tregonin se tetë bashkitë kishin kryer gjithsej 668 pagesa të lidhura me këto shërbime. Prokuroria po krahasonte dokumentacionin financiar me kontratat dhe shërbimet e deklaruara, për të përcaktuar nëse detyrimet e parashikuara në marrëveshje ishin përmbushur realisht.

Çështja po hetohet për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Keqmenaxhimit të mbetjeve”.

Të Ngjashme