Lajme

SPAK zbardh qëndrimin për Sazani-n dhe Nartën

Prokuroria e Posaçme ka reaguar zyrtarisht për hetimet që janë duke u zhvilluar për bregdetin e lakmuar të jugut, pas interesimit të lartë nga një numër mediash amerikane dhe europiane, të cilat kanë kërkuar informacion për dhëndrin e Donald Trump.

Konkretisht, organi më i lartë i akuzës në Shqipëri, i është përgjigjur medias së madhe amerikane Fox News, e cila ka kërkuar konfirmim nga SPAK, nëse po heton një projekt zhvillimi të lidhur me Jared Kushner. Dhe përgjigja ka qenë mohuese.

Fox News: A mund të konfirmojë SPAK nëse po heton një projekt zhvillimi të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e Presidentit Donald Trump?

SPAK: Në përgjigje të kërkesës suaj, Struktura Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nuk ka asnjë hetim të hapur në lidhje me ndonjë projekt të lidhur me z. Jared Kushner. SPAK ka filluar një hetim; megjithatë, ky hetim ka të bëjë me çështje që nuk lidhen me objektin e kërkesës suaj. Detajet e mëtejshme nuk mund të zbulohen për shkak të sekretit hetimor.

NYT London, CNN London, Anadolu Agency, MSNBC, CNN, CBS News London, The Times, RAI 3, etj, janë mediat e tjera që kanë kërkuar përgjigje nga SPAK për pronësinë e Sazanit dhe qindra hektarë në Nartë, ndërsa kanë mësuar se nuk ka hetim.

Prokuroria e Posaçme ka theksuar se po hetohen vendime për ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura dhe ligjin për investime strategjike.

Të Ngjashme