Lajme

Spanca: Organizata ndërkombëtare për institucionet supreme ka konfirmuar se ZKA ka mandat për auditimin e performancës në sistemin gjyqësor

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca ka bërë të ditur se Organizata Ndërkombëtare për Institucionet Supreme të Auditimit e ka konfirmuar se Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës ka mandat kushtetues dhe ligjor të kryej auditimin e performancës në sistemin gjyqësor. 

Spanca kështu njofton përmes një postimi në Facebook.

“Këshilli Gjyqësor me moslejimin e kryerjes së auditimit dhe mos dhënien e qasjes në dokumentet e nevojshme për të kryer auditimin e zbatimit të rekomandimeve lidhur me efikasitetin e menaxhimit të lëndëve civile në gjykatat themelore ka shkelur dy parimet e Deklaratës së Meksikës së INTOSAI-t, parimin 3 dhe 4 të kësaj deklarate”, shkruan ajo.

Ndryshe, një ditë më parë edhe Iniciativa për Zhvillim e INTOSAI-t ka bërë të ditur se është në mandatin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për të kryer auditimin përcjellës të performancës “Efikasiteti i menaxhimit të lëndëve civile në gjykatat themelore”.

Në Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, sot ka pranuar përgjigjen zyrtare nga Iniciativa për Zhvillim e INTOSAI-t (IDI) lidhur me shqyrtimin e njoftimit për kufizimet në kryerjen e auditimit përcjellës të performancës “Efikasiteti i menaxhimit të lëndëve civile në gjykatat themelore”, dhe kërkesës së saj për aktivizimin e Mekanizmit të Avokatisë së Shpejtë (SIRAM).

Përmes kësaj shkrese IDI konfirmon se është në mandatin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës kryerja e një auditimi të tillë.

“Pas shqyrtimit të neneve përkatëse të Kushtetutës së Kosovës (nenet 136,137,138); të Ligjit nr. 05/L-055 për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës; si dhe faktit se një auditim i mëparshëm i është bërë të njëjtit entitet në vitin 2017, konsiderojmë se kryerja e një auditimi të tillë është brenda mandatit të ZKA-së”, theksohet në përgjigje.

Po ashtu, Iniciativa për Zhvillim e INTOSAI-t rikujton se nga perspektiva e standardeve të auditimit, auditimi i performancës njihet plotësisht nga standardet ndërkombëtare të institucioneve supreme të auditimit (ISSAI) si një nga tre llojet e auditimit që ISA-ja duhet të kryejë.

Tutje në përgjigjen e Iniciativës për Zhvillim e INTOSAI-t përkatësisht Mekanizmit të Avokimit të Shpejtë për Pavarësinë e ISA-së (SIRAM) i cili ofron mbështetje avokuese për Institucionet Supreme të Auditimit kur ato mendojnë se pavarësia e tyre është sfiduar, ndër të tjera theksohet se mos lejimi i kryerjes së auditimit përcjellës ka shkel dy parime të Deklaratës së Meksikës për Pavarësinë e ISA-së (INTOSAI P-10) si:

Parimi 3, i cili thotë se “ISA-të duhet të kenë një mandat mjaftueshëm të gjerë dhe liri veprimi në kryerjen e funksioneve të ISA-së, duke përfshirë auditimit e ekonomicitetit, efikasitetit dhe efektivitetit të veprimeve të qeverisë ose entiteteve publike”; dhe

Parimi 4, i cili thotë se “ISA-ja duhet të ketë kompetenca të mjaftueshme për të marrë qasje të lirë, të drejtpërdrejtë, në kohë dhe të pakufizuar në të gjitha dokumentet dhe informatat që i nevojiten për të kryer si duhet përgjegjësitë e tyre ligjore”.

Në korrik të këtij viti ZKA-ja përmes një komunikate pati njoftuar publikun dhe palët e interesit lidhur me kufizimin në fushëveprim të Auditorit të Përgjithshëm nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës në kryerjen e auditimit të performancës “Efikasiteti i menaxhimit të lëndëve civile në gjykatat themelore”.