Lajme

Spanja godet bandën shqiptare: 17 të arrestuar dhe rreth 1 ton kokainë e sekuestruar

Agjentët e Policisë Kombëtare në Spanjë kanë çmontuar në provincën e Valencias një nga organizatat kriminale më aktive me origjinë shqiptare që dyshohet se kontrollonte trafikun ndërkombëtar të kokainës në lindje të Spanjës.

Më shumë se 820 kilogramë kokainë janë sekuestruar dhe 17 persona janë arrestuar, duke përfshirë liderin e grupit të njohur nga agjentët për kontaktet e tij në Amerikën Latine, Evropë dhe Dubai.

Nga kontrolli në tetë adresa, ndër të tjera janë sekuestruar edhe 226.500 euro cash, tre aparate për zbulimin e pajisjeve elektronike GPS, 13 automjete (pesë me dy shasi të modifikuar). Operacioni ka nisur prej dymbëdhjetë muajsh dhe është kryer në tre faza.

Hetimi nisi në fillim të vitit 2023 pasi u mësua për ekzistencën e një organizate kriminale që, e drejtuar nga shtetas shqiptarë me banim në Valencia, i dedikohej trafikut të kokainës në shkallë të gjerë si dhe pastrimit të parave. Fillimisht u identifikua drejtuesi i organizatës, i cili drejtonte disa kompani në Spanjë dhe mjetet e tyre ishin të gjitha luksoze.

Hetuesit identifikuan anëtarët e tjerë të rrjetit kriminal, gjë që i lejoi ata të specifikonin strukturën e tij si dhe zbulimin e disa shtëpive të larta dhe magazina industriale në pjesë të ndryshme të Valencias që organizata kishte në dispozicion. Ata lokalizuan edhe një lavazh që përdorej nga rrjeti kriminal, pasi aty bëheshin mbledhjet kryesore për të shpërndarë funksionet dhe për t’u dhënë udhëzime anëtarëve të grupit.

FILLIMI NË MUAJIN KORRIK

Në korrik të vitit të kaluar, hetuesit zbuluan dy automjete që i përkisnin organizatës në qytetin Valencias L’Eliana. Të dyja mjetet u konstatua se kishin “caletas” (shtesë) që përmbanin gjithsej 100 pako me kokainë. Agjentët arrestuan dy drejtuesit e mjeteve, të cilët ishin me ndikim në zonën e Qarkut të Murcias dhe kryenin funksionin e “korrierëve”.

FAZA E DYTË, NË SHTATOR

Në shtator të vitit të kaluar, një tjetër automjet i grupit kriminal u kap pasi u largua me shpejtësi dhe përplasi agjentët dhe u lokalizua pak kilometra më tutje ku ishte braktisur me 50 kilogramë kokainë brenda. Veprimi i policisë bëri që organizata të paralizonte veprimtaritë e paligjshme si masë sigurie për të kryer ristrukturimin.

FAZA E TRETË E OPERACIONIT

Në Janar, në qytetin e Benicassim, agjentët zbuluan një furgon dhe një automjet në një qëndrim të dyshimtë të lidhur me organizatën e hetuar. Agjentët kanë nisur monitorimin dhe kanë vendosur të përgjojnë të dyja mjetet, ndërsa furgoni është larguar në periferi të bashkisë Denia, duke vënë në rrezik të madh përdoruesit e rrugës.

Pas ndjekjes, agjentët arrestuan drejtuesin e furgonit kur tentoi të ikte me vrap dhe brenda tij u gjetën të fshehura në kuti kartoni 320 kilogramë kokainë. Në të njëjtën kohë janë arrestuar edhe dy personat që ndodheshin në makinën tjetër. Në të njëjtën kohë, agjentët shkuan në Benicassim për të arrestuar dy anëtarët e organizatës që kishin dorëzuar drogën e sekuestruar.

Nga kontrollet, në njërën prej banesave u gjetën 350 kilogramë të tjerë lëndë narkotike si dhe më shumë se 200 mijë euro. Po kështu, si shenjë e nivelit të lartë të sofistikimit të organizatës kriminale të shpërbërë, u sekuestruan pajisje të ndryshme elektronike në dispozicion të anëtarëve të saj, si GPS të avancuar dhe bllokues mikrofoni për të shmangur pajisjet gjurmuese dhe dëgjuese.

Të arrestuarit u dërguan në paraburgim dhe gjykata ka vendosur për burgosjen e të gjithëve. Gjithashtu, hetuesit arrestuan edhe anëtarë të organizatës të ngarkuar me sigurimin e logjistikës dhe infrastrukturës së nevojshme për zhvillimin e veprimtarisë së paligjshme, duke menaxhuar kontratat e qirasë së pronave të ndryshme në Spanjë.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo