Lajme

Spanja prangos “Dajlokin”, Ismail Zenelin pjesë e grupit të Breçanit

Është arrestuar në Spanjë, Ismail Zeneli, i njohur me nofkën “Dajloki”, i shpallur në kërkim si pjesë e grupit të strukturuar kriminal të Erzen Breçanit dhe Ervin Matës, qu u “shkatërrua” nga SPAK.

Grupi kriminal akuzohet për: “Sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Pjesë e këtij grupi është edhe Ismail Zeneli, i cili akuzohet jo vetëm për trafikim droge, por edhe si personi që donte të vriste vëllezërit Albert dhe Edmond Nela.  Ai kishte pajtuar Bujar Gërmizin për eliminimin e tyre. Ata kanë bashkëpunuar me shefin e Krimeve në komisariatin numër 6, Dedan Gjonin, i arretuar gjithashtu nga operacioni i SPAK, për të tentuar vrasjen e 2 vëllezërve që jetojnë në Britaninë e Madhe.

Ndërsa, Jonida Babameto, oficere e Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit, e cila po ashtu ra në prangat e Policisë mësohet se gjatë kohës kur punonte në “Interpol” u ka dhënë informacione nga sistemi për dy objektivat që jetonin në Angli. Deri më tani dyshohet se plani për vrasjen e dy vëllezërve ishte bërë pas konfliktieve për pazaret e drogës.

Sipas dosjes hetimore, Dedan Gjoni kryen veprime aktive duke ndjekur motrën dhe nënën e dy vëllezërve, tenton t’ju vërë GPS në makinë, ndërsa nxjerr nga sistemi TIMS të dhënat për Albert dhe Edmond Nelën.

Vrasja nuk realizohet, pasi nuk arrijnë të gjejnë vendndodhjen e dy vëllezërve.
Ndërkohë, Ismail Zeneli rezulton person kyç në trafikun e drogës nga Brazili dhe Ekuadori në drejtim të vendeve të BE-së dhe bashkëpunon ngushtë me Eralbi Breçanin.

Kujtojme që në kuadër të këtij operacioni u arrestuan 5 shtetas, ndërsa në kërkim janë 6 të tjerë. Janë arrestuar ish-drejtori i policisë së Tiranës, Erzen Breçani, Besmir Mustati, Shefi i Krimeve në Komisariatin numër 6, Dedan Gjoni dhe Bujar Ajeti (alias Gërmizi) dhe Jonida Babameto, oficere e Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit.