Lajme

Specialja ngec në Kuvend: 79 vota për rendin e ditës, por pa votim. Vendimi të premten

Kuvendi i Kosovës e futi të enjten në rendin e ditës Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, me 79 vota pro, pa asnjë votë kundër dhe pa abstenim. Megjithatë, votimi vendimtar për rrëzimin e vetos së presidentes Justina Shiroka-Pula nuk u mbajt, pasi seanca u shty për mungesë deputetësh.

Ligji ishte miratuar në dy lexime më 6 tetor, por presidentja e ktheu në Kuvend për rishqyrtim me kërkesë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila e kishte sponsorizuar. Për ta rimiratuar dhe për ta tejkaluar vetën nevojiten të paktën 61 vota të deputetëve.

Seanca dështon pas pauzës

Pas pyetjeve parlamentare, deputetët shkuan në pauzë deri në orën 14:00. Pikërisht pas saj pritej shqyrtimi i ligjit. Por për vazhdimin e seancës në sallë u paraqitën më pak se 20 deputetë, ndërsa nga shumica parlamentare ishin të pranishëm vetëm Vigan Qorrolli dhe Avni Dehari.

Rreth orës 14:30, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi shtyrjen e seancës dhe kritikoi grupet parlamentare.

“Seanca i vazhdon punimet nesër në orën 11:00. Nuk është serioze gjysmë ore pas orës 14:00 nuk po vijnë deputetët. Unë nuk kam mundësi deri në pafundësi t’i pres deputetët”, deklaroi Haxhiu.

Çitaku: Ta votojmë sot, të hënën ndryshimet

Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, u kërkoi deputetëve që ligji të miratohet në formën aktuale, ndërsa procesi i ndryshimeve të nisë menjëherë pas votimit.

“Na janë dhënë disa këshilla dhe rekomandime që, ne besojmë, ligjin do ta bëjnë edhe më të fuqishëm dhe juridikisht më të qëndrueshëm nga kushdo që do ta kontestonte në fazat e mëtejshme. Këtë vendim e kemi marrë të vetëdijshëm se do të na kushtojë politikisht, por për ne qëllimi është më i rëndësishëm sesa dëmi që mund të na bëjë neve si parti politike”, tha Çitaku.

“Zotohem publikisht se të hënën do ta sjellim nismën e re ligjore dhe brenda dy javësh do t’i bëjmë ndryshimet e ligjit në fjalë”, shtoi ajo.

Si votojnë partitë

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, tha se LVV e mbështeti futjen e ligjit në rend dite, edhe pse e sheh rrugën e ndjekur si problematike.

“Kemi biseduar edhe për faktin se ky projektligj dhe mënyra se si po adresohet nuk janë rruga e duhur. Por, duke qenë se PDK-ja ka besuar në këtë projektligj, ne i kemi dhënë mbështetjen tonë. Ne jemi dakord që të futet në rend të ditës dhe pastaj të diskutojmë përsëri”, tha Nagavci.

Më herët, në Komisionin për Legjislacion, deputeti i LVV-së Adnan Rrustemi kishte thënë se partia e tij është për një nismë të re ligjore, ndërsa Aleanca, përmes Besnik Tahirit, e mbështeti rivotimin e ligjit ashtu siç kërkon PDK.

Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet kundër. Deputetja dhe ish-presidentja Vjosa Osmani deklaroi se LDK nuk e mbështet rrëzimin e vetos nëse synohet të kalojë i njëjti ligj, duke thënë se iniciativa të tilla “as nuk janë në përputhje me Kushtetutën, as nuk janë në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Kosovës”.

Çfarë parasheh ligji

Ligji e kufizon juridiksionin e Speciales vetëm në veprat e përmendura në raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011, pra nxjerrjen dhe trafikimin e organeve njerëzore dhe krimet e lidhura drejtpërdrejt me to. Periudha që mbulon gjykata fillon nga 1 korriku 1999, në vend të 1 janarit 1998.

Dënimi maksimal ulet nga burgimi i përjetshëm në 15 vjet. Rastet që dalin jashtë juridiksionit kalojnë te gjykatat dhe Prokuroria Speciale e Kosovës, dënimet mund të vuhen në institucionet korrektuese të Kosovës, ndërsa të dënuarit mund të falen nga presidenti.

Për rastet në zhvillim, ligji parasheh që pas aktgjykimit të Panelit të Apelit të Speciales, çdo mjet i mëtejshëm juridik të shqyrtohet nga Gjykata Supreme e Kosovës në Prishtinë.

Nisma u ndërmor pasi më 16 shtator Specialja dënoi katërshen e ish-drejtuesve të UÇK-së me gjithsej 81 vjet burg: Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet.

Bashkimi Evropian i ka kundërshtuar ndryshimet, duke paralajmëruar se ato bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës. Kuvendi pritet t’i rikthehet ligjit të premten.

Të Ngjashme