Lajme

‘Stabilitet i paqëndrueshëm’ – Gashi shpjegon pse dështuan negociatat Kurti–Abdixhiku

U takuan dy herë pas afatit të Kushtetueses për zgjedhjen e presidentit, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk arritën të gjejnë një ‘gjuhë të përbashkët’ për këtë çështje.

Të hënën, pas takimit me Abdixhikun, kreu i LVV-së, Albin Kurti, deklaroi se bisedimet ndërmjet palëve kanë rezultuar të pasuksesshme, duke thënë se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja.

Në këtë mënyrë Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të reja, të panevojshme, që i humbin kohë shtetit dhe mjete buxhetit të Kosovës.

Së paku 1 milion euro kushtojnë zgjedhjet e reja dhe nuk do të sjellin zgjidhje sepse nuk do ta kemi numrin prej 80 deputetëve për ta bërë kuorumin. Është dashur të përpiqemi më shumë dhe nuk është dashur të refuzohet oferta jonë për qeverisje”, ka deklaruar Kurti.

“Mbyllje” të takimeve i deklaroi edhe Abdixhiku, i cili ka thënë se sipas gjitha gjasave vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja.

Ai tregoj edhe ofertën që ia bëri Kurti.

Kurti më ofroi bashkëqeverisje, katër ministri dhe postin e zëvendëskryeministrit, por postin e presidentit t’i takojë LVV-së. Ai po ashtu ofroi ndërrim të pozicioneve me kryetarin e Kuvendit”, ka thënë ai.

Sipas tij, presidenti nuk duhet t’i takojë LVV-së.

Analisti politik, Lirim Gashi, thotë se nuk pati marrëveshje sepse në thelb nuk kishte ende një përputhje vizionesh për mënyrën sesi duhet të qeveriset vendi.

Image
Lirim Gashi

Sipas tij, hezitimi i LDK-së nuk lidhet vetëm me numrat në kabinet.

Takimi Kurti–Abdixhiku ishte më shumë një pasqyrë e qartë e kufijve realë të politikës sonë sesa një hap drejt kompromisit. Ai nuk prodhoi marrëveshje sepse në thelb nuk kishte ende një përputhje vizionesh për mënyrën se si duhet të qeveriset vendi, por vetëm për mënyrën se si duhet të ndahet pushteti. Në këtë kontekst, oferta për LDK-në — katër ministri, një zëvendëskryeministër dhe diskutimi për pozicionin e kryetarit të Kuvendit në raport me një formulim institucional që prek edhe balancat drejt Presidencës — nuk mund të shihet thjesht si “pjesëmarrje në qeveri”, por si përpjekje për rikonfigurim të ekuilibrit të brendshëm të shtetit. Për LDK-në, kjo është një dilemë klasike mes rolit të partnerit qeverisës dhe identitetit politik opozitar që ende nuk është shuar plotësisht pas zgjedhjeve. Prandaj, hezitimi i saj nuk lidhet vetëm me numrat në kabinet, por me pyetjen më të thellë: a po hyn në një qeverisje, apo po absorbohet brenda një projekti politik që nuk e kontrollon?”, thotë Gashi.

Ndërsa, rreth mesazhit të Kurtit për PDK-në, sipas Gashit, është më shumë si testim i terrenit politik.

Ai thotë se një marrëveshje LVV- PDK, do të varej nga gatishmëria e PDK-së.

Sa i përket mesazhit të Kurtit për PDK-në, ai duket më shumë si testim i terrenit politik, sesa si një ofertë e kristalizuar. Në këtë fazë, çdo komunikim me PDK-në nuk është vetëm çështje postesh, por çështje legjitimiteti politik reciprok. Një marrëveshje e mundshme do të varej nga gatishmëria e PDK-së për të pranuar rol konstruktiv pa tentuar ta rishkruajë arkitekturën e qeverisjes. Por kjo mbetet hipotetike, sepse hendeku politik mes dy kampeve nuk është teknik — është konceptual. Sa i përket rrezikut të krizës institucionale, ai nuk është më hipotetik. Kur negociatat kthehen në cikël të mbyllur pa marrëveshje dhe zgjedhjet e reja bëhen opsion i përsëritur, atëherë sistemi futet në një gjendje “stabiliteti të paqëndrueshëm”. Institucionet funksionojnë, por pa energji politike të mjaftueshme për vendimmarrje të thellë. Zgjedhjet e reja, nëse mbahen, nuk janë garanci për zgjidhje të problemeve urgjente, afatmesme dhe afatgjata, por një ripërsëritje e vullnetit qytetar në një terren të njëjtë politik. Ato mund të prodhojnë rreshtime të reja, por jo domosdoshmërisht një shumicë të re funksionale nëse logjika e kompromisit nuk ndryshon. Në fund, problemi nuk është mungesa e ofertave politike, por mungesa e një gjuhe të përbashkët për pushtetin si përgjegjësi institucionale, jo si pronë politike”, përfundon Gashi.

Theksojmë se pas mbledhjes së Këshillit Drejtues partiak, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë për mediat se kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar një ofertë në WhatsApp, por shtoi se nuk ka pranuar ftesë zyrtare për takim.

Oferta është kjo, që deputetët e partisë e PDK-së të qëndrojnë në sallë, të votojnë dhe si rezultat i kësaj, PDK-së i ofrohet posti i kryetarit të Kuvendit me një lloj ndryshimi, që LVV-së t’i kalohet pozita e nënkryetarit të Kuvendit që aktualisht e ka PDK. E para kjo nuk është serioze, sepse kryesia e Kuvendit është e konstituuar”, tha Hamza, duke shtuar se përveç që sipas tij një ofertë e tillë nuk është serioze, nul është “as kushtetuese”.

Hamza u shpreh se qëndrimi i tyre ka qenë që presidenti të propozohet nga PDK-ja, por jo dikush që domosdo do të ishte pjesë e strukturave partiake.

Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

Prandaj, nevojitet një marrëveshje mes partive parlamentare për këtë çështje, duke qenë se asnjëra parti – madje as ajo në pushtet e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje me 57 deputetë – nuk e ka një numër kaq të madh deputetësh në Kuvendin me 120 vende.

Pasi Vjosa Osmanit i mbaroi mandati në fillim të muajit dhe vendi nuk arriti ta emërojë zëvendësuesin e saj, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u emërua ushtruese e detyrës së presidentit më 4 prill.

Edhe vetë Haxhiu u bëri thirrje të dielën partive për arritjen e një konsensusi për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Përpjekjet e mëparshme për presidentin e ri të vendin dështuan pasi asnjëra palë nuk u duk e gatshëm të bëjë lëshime.

Partia në pushtet në një seancë më 5 mars kishte paraqitur dy emra për president: Glauk Konjufcën, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe deputeten Fatmire Mullhaxha -Kollçaku, por seanca s’u mbajt në mungesë kuorumi, pasi opozita braktisi sallën.

Të nesërmen, ish-presidentja Vjosa Osmani nxori një dekret për shpërndarje të Kuvendit dhe hapje të rrugës për zgjedhje të reja. Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo nuk e siguroi mbështetjen e nevojshme në këtë drejtim.

Dekreti u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese pas ankesës nga Qeveria.

Gjykata tha se dekreti nuk kishte asnjë efekt juridik dhe e përcaktoi 28 prillin si afat të fundit për zgjedhje të presidentit.

Të Ngjashme