Lajme

Studimi: Sa hapa duhet të bëni në ditë për të ulur rrezikun nga sëmundjet kardiovaskulare

Historikisht është thënë se 10,000 hapa në ditë është numri “magjik” që nevojitet për të qëndruar në formë dhe të shëndetshëm, por një studim i ri tregon se më pak se 5,000 mund të jenë të mjaftueshëm për të qëndruar të shëndetshëm.

Analiza e më shumë se 226,000 njerëzve në mbarë botën tregoi se 4,000 ishin të mjaftueshme për të filluar zvogëlimin e rrezikut të vdekjes së parakohshme për çdo shkak. Pak më shumë se 2300 janë të mjaftueshme për të patur sa më shumë përfitime për shëndetin e zemrës dhe të enëve të gjakut.

“Sa më shumë të bëni, aq më shumë përfitime shëndetësore do të shihni”, thanë studiuesit. Çdo 1000 hapa shtesë përtej 4000 ul rrezikun e vdekjes së hershme me 15% deri në 20000 hapa. Ekipi nga Universiteti Mjekësor i Lodz-it në Poloni dhe Shkolla e Mjekësisë e Universitetit Johns Hopkins në SHBA zbuloi se përfitimet e ecjes zbatoheshin për të gjitha gjinitë dhe moshat, pavarësisht se ku jetonin.

Megjithatë, përfitimet më të mëdha u panë tek moshat nën 60 vjeç. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, aktiviteti fizik i pamjaftueshëm është përgjegjës për 3.2 milionë vdekje çdo vit, shkaku i katërt më i shpeshtë në mbarë botën.

Burimi: BBC