Një studim i kohëve të fundit ka zbuluar një lloj të ri dinozauri qafëgjatë dhe bimëngrënës, më i madhi i gjetur ndonjëherë në Azinë Juglindore.
Dinozauri, i përshkruar në një punim të ri në revistën Scientific Reports, u identifikua nga kockat e gjetura në buzë të një pellgu në verilindje të Tajlandës dhjetë vjet më parë, tha University College London në një deklaratë të enjten.
Zbulimi i “Nagatitan chaiyaphumensiscame” vjen nga përpjekjet e përbashkëta të studiuesve në University College London (UCL), Universitetin Mahasarakham, Universitetin e Teknologjisë Suranaree dhe Muzeun Sirindhorn në Tajlandë.
Duke analizuar kockat e shtyllës kurrizore, brinjëve, legenit dhe këmbëve, duke përfshirë një kockë të përparme të këmbës me gjatësi 1,78 metër, ekipi i kërkimit vlerësoi se dinozauri do të kishte peshuar 27 tonë – afërsisht sa nëntë elefantë të rritur aziatikë – dhe do të kishte një gjatësi prej 27 metrash.
Speciet e dinozaurëve janë emëruar Nagatitan chaiyaphumensis, ku “Naga” i referohet një gjarpri mitologjik ujor në folklorin tajlandez dhe të Azisë Juglindore, “Titan” i referohet gjigantëve të mitologjisë greke dhe “chaiyaphumensis” vjen nga Chaiyaphum, që është provinca tajlandeze ku u zbuluan fosilet.
Deklarata vuri në dukje se është specia e 14-të e dinozaurëve që emërtohet në Tajlandë.
Sipas studimit, Nagatitan ishte një sauropod sompospondylan – një nëngrup i sauropodëve që u përhapën rreth 120 milionë vjet më parë.
“Ëndrra ime është të vazhdoj të bëj presion që dinozaurët e Azisë Juglindore të njihen ndërkombëtarisht”, tha në deklaratë autori kryesor Thitiwoot Sethapanichsakul nga UCL./ AA.
