Stuhia “Charls”, e cila goditi brigjet e Portugalisë me erëra të fuqishme dhe reshje intensive shiu, po zhvendoset drejt Ballkanit. Meteorologët paralajmërojnë përkeqësim të ndjeshëm të kushteve të motit në Shqipëri, me reshje të dendura, erëra të forta dhe rrezik përmbytjesh, kryesisht në veri dhe veriperëndim të vendit.
Sipas parashikimeve, stuhia pritet të përfshijë gjatë natës dhe ditës së nesërme disa vende të Ballkanit, përfshirë Malin e Zi, Kroacinë, Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
“Pritet që gjatë natës dhe nesër të udhëtojë drejt Ballkanit duke prekur Malin e Zi, Kroacinë, Shqipërinë, Kosovë, Maqedoni e Veriut”, thuhet në parashikimin meteorologjik.
Në Shqipëri, reshjet më intensive pritet të përqendrohen në qarqet veriore dhe veriperëndimore, ndërsa përgjatë vijës bregdetare shqetësimi kryesor do të jetë era e fuqishme.
“Në Shkodër, Bajram Curri, Pukë, Lezhë, në këto zona përveç erës së fortë do të ketë reshje me intensitet të lartë ku ka zona që e kalojnë 100 milimetra shi që sot natën deri të dielën kur ndërpriten. Nuk përjashtohet rreziku i përmbytjeve në veri dhe veriperëndim, por qendra dhe jugu do ketë më pak reshje, do jenë prezente, por me pak”, deklaroi meteorologia për “Abc News”.
Situata pritet të jetë problematike edhe në bregdet, ku shpejtësia e erës mund të tejkalojë 80 km/h dhe të arrijë deri në 100 km/h në det të hapur. Këto kushte mund të sjellin dallgëzim të lartë dhe vështirësi për trafikun detar, si përgjatë brigjeve të Vlorës, ashtu edhe në Adriatik.
Një tjetër veçori e kësaj stuhie janë temperaturat e pazakonta për muajin nëntor, të cilat pritet të arrijnë deri në 26-27 gradë Celsius, vlera që u ngjajnë më tepër atyre të fundit të pranverës.
Megjithatë, ndikimi i stuhisë në Shqipëri nuk pritet të zgjasë shumë. Nga e diela parashikohet një përmirësim i kushteve atmosferike, me ndërprerje graduale të reshjeve dhe rënie të temperaturave me rreth 6 gradë Celsius.
“Nga e diela pritet të ulen ndjeshëm sepse nesër presim 26-27 gradë Celcius që janë shumë të larta. Javën tjetër deri 20-21 më tipike vjeshte. Rikthehet bora në zona malore”, u shpreh meteorologia.
Pavarësisht përmirësimit të motit gjatë së dielës, java e ardhshme pritet të nisë me rikthimin e reshjeve në disa zona të vendit.
