Lajme

Sulmi në Banjskë, Kulla: Serbët i futën armët në Kosovë përmes një tuneli që në kohën e Jugosllavisë

Eksperti i Sigurisë, Ilir Kulla tha se Inteligjenca e Kosovës ka zbuluar se nga i futën armët terroristët serbë, që u përdorën në sulmin e 24 shtatorit ku humbi jetën efektivi Afrim Bunjaku.

Duke folur në “Zonë e Lirë”, Kulla pretendon se Shërbimi inteligjent i Kosovës, në bashkëpunim me inteligjencat e huaja kanë arritur të identifikojnë se armët nga Serbia janë futur nga një tunel i vjetër në Zveçan që sipas tij është që në kohën e Jugosllavisë.

Ai u shpreh se në atë zonë nuk ka patur polici të Kosovës dhe KFOR nuk ka patur mundësi të patrullojë pasi është një mal.

“Shërbimi inteligjent i Kosovës, në bashkëpunim me inteligjencat e huaja, ka arritur të identifikojë se nga janë futur armët nga Serbia në Kosovë. Poshtë, në zonën e Kapaunikut, që është në Zveçan, mbrapa malit ku është gjetur, ekziston një minierë e vjetër, e cila në kohën e Jugosllavisë, kur nuk ka pasur kufi, futet nga poshtë Kapaunikut, që është mali aty ku bëhet ski, atje janë stërvitur, dhe kanë futur armatimet nëpërmjet tuneleve të kësaj miniere.

I kanë futur në Kosovë. Është një tunel i vjetër që nuk përdorej më dhe ka qenë nën kontroillin e këtyre bandave, këtyre grupeve. Nuk ka pasur polici të Kosovës atje dhe KFOR-i e ka pasur të pamundur se është një zonë mali. Kjo është identifikuar ditët e fundit. Në hetim, ata njerëzit që i ka Policia e Kosovës, kanë filluar të flasin, të tregojnë gjërat”, deklaroi Kulli.